RTSH 24 Live

Kosova

Kosovë/ Bisedimet për Asociacionin, ambasadori amerikan: Do vazhdojmë të nxisim zbatimin e të gjitha angazhimeve të Dialogut

31/01/2023

Kosovë/ Bisedimet për Asociacionin, ambasadori amerikan: Do vazhdojmë të nxisim zbatimin e të gjitha angazhimeve të Dialogut

Përfaqësues të institucioneve të qeverisë së Kosovës dhe të opozitës zhvilluan këtë të martë një takim në Ambasadën amerikane, me kërkesë të këtyre të fundit, ku u diskutua në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, u shpreh se u zhvillua një seancë dëgjimore, teksa theksoi se SHBA do të vazhdojë të avokojë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sot mbajtëm një seancë dëgjimore në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Kosovë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të Dialogut”, shkruan Hovenier në Twitter.

Në diskutim morën pjesë zyrtarë të Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe më 2013 dhe 2015. Por, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015, nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Janë gjithsej 23 pika të marrëveshjes që nuk janë në frymën e Kushtetutës, dhe ndër to është se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, pasi bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë, në këtë rast komuniteti serb. Megjithatë, pavarësisht kundërshtimit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të respektojë marrëveshjet e arritura dhe të themelojë Asociacionin.

Çfarë parashikon Asociacioni

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

/rtsh.al/