Shtyhet deri më 23 gusht afati për konvertimin e patentave të shoferëve serb të Kosovës. Lajmi u komunikua nga Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të konvertojnë dokumentet.
“Bazuar në kërkesat e shumta të qytetarëve për aplikim të pajisjes me patentë shoferë të Republikës së Kosovës, ku vetëm dje kemi pasur 273 sosh, si dhe kërkesën për zgjatje të afatit për aplikim i cili sipas vendimit tonë përfundon nesër, kam marrë në konsideratë ato me ç’rast afati për konvertim do të zgjatet deri me 23 gusht 2024”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, 5588 qytetarë nga radhët e komunitetit serb kanë aplikuar për konvertimin e patentë shoferëve nga ata të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në patentë shoferë zyrtar të Republikës së Kosovës.
“Pas kësaj date, 23 gusht, për të gjithë ata që nuk konvertojnë patentë shoferët, do të veprohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi”, ka thënë Sveçla duke falënderuar të gjithë qytetarët e komunitetit serb që kanë kryer obligimin e tyre për konvertim të patentë shoferit.
/rtsh.al/