RTSH 24 Live

Aktualitet

Korniza e re ligjore, qeveria me “dorë të fortë” ndaj shërbimit privat të përmbarimit

05/12/2022

Korniza e re ligjore, qeveria me “dorë të fortë” ndaj shërbimit privat të përmbarimit

Shërbimi privat i përmbarimit do të vendoset në kontroll më të fortë, lidhur me praktikat e punës së tij në të ardhmen. Qeveria ka hartuar dhe miratuar një ligj të ri, i cili ngarkon Ministrinë e Drejtësisë që të mbikëqyrë, kontrollojë, inspektojë, si dhe të kryejë procedimin disiplinor për profesionin e përmbaruesit privat, si dhe të profesioneve të tjera të lira, të lidhura me sistemin e drejtësisë.

Konkretisht, sipas parashikimeve të ligjit për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, parashikohet tashmë roli i Ministrisë së Drejtësisë për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore nga përmbaruesit gjyqësorë privatë në ushtrimin e funksionit të tyre.

Të gjitha kompetencat monitoruese dhe kontrolluese të Ministrisë së Drejtësisë, sa i takon mënyrës së ushtrimit të profesionit të përmbaruesit gjyqësor privat, gjithashtu, synojnë që:

a) të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit;

b) të kontribuojnë në luftën kundër shpërdorimit të detyrës nga përmbaruesit gjyqësorë privatë;

c) të kontribuojnë në luftën kundër mashtrimit;

d) të kontribuojnë në luftën kundër pastrimit të parave;

e) të rrisin transparencën e ekzekutimit të vendimeve;

f) të shmangin arbitraritetin.

Objektivat e kontrollit

Realizimi i misionit dhe i detyrave të Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të inspektimit dhe të mekanizmave të kontrollit të përmbaruesve gjyqësorë privatë do të arrihet nëpërmjet:

- vlerësimit të respektimit të kërkesave ligjore nga subjekti i inspektimit;

- dokumentimit të praktikave të mira në respektimin e kërkesave ligjore dhe përhapjen e tyre;

- këshillimit të subjektit të inspektuar për zbatimin sa më korrekt të kërkesave ligjore;

- urdhërimit të korrigjimit të shkeljeve të kërkesave ligjore dhe eliminimit të pasojave që rrjedhin prej tyre;

- marrjes së masave të tjera administrative për shmangien e rreziqeve që mund t’u shkaktohen interesit publik dhe interesave të ligjshëm të personave fizikë dhe juridikë, sipas kushteve dhe procedurave të parashikuara në ligj.

Metodologjia e kontrollit

Ligji i ri parashikon që Ministria e Drejtësisë do të kryejë mbikëqyrjen e veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë me qëllim garantimin e respektimit të parimit të ligjshmërisë në kryerjen e detyrës, profesionalizmit dhe etikës.

Kontrolli i veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë bazohet në informacionin e mbledhur nga burime të ndryshme, lidhur me veprimtarinë e tyre, të cilat përfshijnë:

a) raportet vjetore që përmbaruesi gjyqësor privat paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë;

b) raportet e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, të paraqitura pranë Ministrisë së Drejtësisë;

c) raportet e kontrolleve të përgjithshme apo të veçanta, të kryera nga struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë;

ç) ankesat apo kërkesat e përcjella në Ministrinë e Drejtësisë nga palët në procedurën përmbarimore apo institucionet shtetërore;

d) burime të tjera, përfshirë burimet e mundshme të raportimit nga mediat, të dhëna nga grupet e interesit, si dhe të dhënat që rezultojnë nga procedurat gjyqësore civile apo penale.

Kontrolli i veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë

Përmbaruesi gjyqësor privat dhe stafi i tij/saj mbështet dhe lehtëson kontrollin e grupit të kontrollit, duke respektuar detyrimet e tij gjatë ushtrimit të kontrollit, në përputhje me legjislacionin për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat dhe rregullat e detajuara në këtë udhëzim, përkatësisht:

Gjatë kërkesës paraprake (faza e parë e kontrollit)

Duke dërguar brenda afatit të caktuar nga struktura përgjegjëse e Ministrisë së Drejtësisë dokumentet e kërkuara. Gjatë vizitës në terren (faza e dytë e kontrollit).

Duke mirëpritur grupin e kontrollit; duke dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme dhe çdo dokument që kërkohet nga grupi i kontrollit; duke përgatitur paraprakisht dhe në mënyrë të organizuar të gjitha dokumentet e kërkuara nga aktet ligjore dhe nënligjore.

Përmbaruesi gjyqësor privat dhe stafi i tij/saj përgjatë procedurës së inspektimit ka të drejtë: - të njihet me arsyet dhe tematikat e kontrollit, veçanërisht për kontrollet e veçanta; - t’i jepet kohë e nevojshme dhe e arsyeshme për përgatitjen paraprake të dokumenteve të kërkuara gjatë kërkesës paraprake; - të deklarojë në lidhje me pretendimet e parashtruara nga grupi i kontrollit dhe deklarimet e tij/saj të shënohen në dokumentacionin e kontrollit; - të mos ketë ndikim negativ në kryerjen e detyrave të përmbarimit për publikun nga zhvillimi i procedurave të kontrollit në zyrën e përmbarimit gjyqësor privat.

Përbërja dhe kompetencat e grupit të kontrollit

Kontrolli i veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë kryhet nga strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë, konkretisht nga nëpunësit civilë me detyra të kontrollit dhe të inspektimit, të cilët veprojnë si pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore të Çështjeve të Drejtësisë. Specialistët e strukturës përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë kanë kompetencë të kryejnë hetimin administrativ, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative, LSHPGJP-së, si dhe ligjit për inspektimin.

Kompetencat e grupit të kontrollit përfshijnë, por pa u kufizuar: a) të drejtën për të hyrë dhe inspektuar godinat, mjediset, objektet, ku apo nëpërmjet të cilave ushtron veprimtarinë përmbaruesi gjyqësor privat, si dhe për të inspektuar çdo send të lidhur me veprimtarinë, objekt inspektimi;

b) të kërkojë dhe të marrë kopje të dokumenteve të veprimtarisë, në përputhje me objektin e inspektimit;

c) të sekuestrojë dokumente që lidhen me objektin e inspektimit, me qëllim verifikimin e autenticitetit apo korrektësisë së informacionit;

ç) të kryejë fotografime, filmime apo regjistrime të çdo sendi që lidhet me veprimtarinë e përmbaruesit gjyqësor privat;

d) të inspektojë çdo dokument apo regjistrim të nevojshëm për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore, përfshirë edhe ato të ruajtura, të krijuara apo të mbajtura në format elektronik, apo çdo teknikë tjetër;

dh) të kryejë verifikime të dokumenteve për identitetin e personave, kur kjo është e nevojshme, sipas objektit të inspektimit;

e) t’i kërkojë përmbaruesve gjyqësor privatë apo punëmarrësve të tij të kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme për të lehtësuar inspektimin;

ë) të administrojë çdo mjet tjetër prove, sipas Kodit të Procedurave Administrative, për përcaktimin e situatës faktike dhe rrethanave të nevojshme për marrjen e një vendimi përfundimtar.

Inspektori, gjatë inspektimit, ka të drejtë që, me vendim të ndërmjetëm, të marrë masa urgjente, kur ka një dyshim të arsyeshëm për shkelje të kërkesave ligjore, nga e cila mund të shkaktohet një dëm i menjëhershëm, i rëndë dhe i pariparueshëm, i interesit publik apo palëve të treta dhe është e nevojshme kryerja e verifikimeve të mëtejshme dokumentare. Këto masat urgjente janë:

a) ndërprerja e kryerjes së një veprimi, veprimtarie apo një pjese të saj;

b) çdo masë tjetër që vlerësohet e domosdoshme dhe proporcionale për të realizuar qëllimin e masës urgjente.

Kontrolli

Kontrolli i veprimtarisë së përmbaruesit gjyqësor privat apo zyrës së përmbarimit është një proces përmes të cilit Ministria e Drejtësisë analizon përmbushjen e kushteve formale ligjore, si dhe verifikon zbatimin e standardeve profesionale të përmbaruesve gjyqësorë privatë.

Ministria e Drejtësisë kryen dy lloje kontrollesh: - kontrolli i përgjithshëm, i cili kryhet në tërësi ndaj të gjithë veprimtarisë së përmbaruesit gjyqësor privat, në bazë të periodicitetit dhe planit të kontrollit të përgatitur nga struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë;

Kontrolli i veçantë, i cili kryhet për një çështje të caktuar apo një aspekt të caktuar të veprimtarisë së përmbaruesit gjyqësor privat.

Kontrolli i përgjithshëm kryhet të paktën çdo katër vjet dhe ka si objekt të gjithë veprimtarinë e përmbaruesit gjyqësor privat apo zyrës së përmbarimit.

Ky kontroll kryhet mbi bazën e planifikimit të përgatitur nga struktura përkatëse në Ministrinë e Drejtësisë, duke u bazuar në parimin e periodicitetit, transparencës dhe efektivitetit. Çdo vit, brenda muajit janar, struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë përgatit planifikimin e kontrolleve të përgjithshme që do të kryhen gjatë atij viti kalendarik dhe ia paraqet për miratim ministrit të Drejtësisë.

Kontrolli i veçantë kryhet pas identifikimit të problemeve të mundshme disiplinore që kërkojnë hetime shtesë me qëllim verifikimi. Ky kontroll është i përqendruar në çështje të caktuara, për të cilat strukturat përgjegjëse kanë evidentuar problematika të veçanta, apo janë informuar mbi bazën e ankesave apo informacioneve të paraqitura nga subjekte të interesuara. /a.meta/

/rtsh.al/