RTSH 24 Live

Botë

Koreja e Jugut do inspektojë sistemin e aviacionit pas aksidentit me 179 viktima

30/12/2024

Koreja e Jugut do inspektojë sistemin e aviacionit pas aksidentit me 179 viktima

Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Çoi Sang-mok, ka urdhëruar një inspektim urgjent të sigurisë në gjithë sistemin operativ të flotës ajrore të vendit, ndërsa po punohet për të identifikuar viktimat dhe për të zbuluar çfarë e shkaktoi fatkeqësinë ajrore më vdekjeprurëse në vend.

175 pasagjerë dhe katër nga gjashtë pjesëtarë të ekuipazhit të linjës Jeju Air gjetën vdekjen të dielën pasi avionit me të cilin fluturonin, tip Boeing 737-800, u ul me bark dhe rrëshqiti nga fundi i pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Muanit, ku shpërtheu në zjarr pas përplasjes me një mur. Dy anëtarë të ekuipazhit u tërhoqën të gjallë.

Prioriteti kryesor për momentin është identifikimi i viktimave, mbështetja e familjeve të tyre dhe trajtimi i dy të mbijetuarve, deklaroi z. Çoi.

"Edhe para se të dalin rezultatet përfundimtare, ne kërkojmë që zyrtarët të zbulojnë në mënyrë transparente procesin e hetimit të aksidentit dhe të informojnë menjëherë familjet e viktimave.

Ministria e Transportit duhet të kryejë një inspektim sigurie urgjent të të gjithë sistemit të operimit të avionëve për të parandaluar përsëritjen e aksidenteve të tilla ajrore," tha ai.

Ministria koreanojugore e Transportit ka planifikuar kryerjen e një inspektimi të posaçëm të 101 avionëve Boeing 737-800 që operohen nga linjat vendore duke filluar nga e hëna, duke u fokusuar në të dhënat e mirëmbajtjes së komponentëve kryesorë.

Avioni i linjës Jeju Air 7C2216, që po vinte nga kryeqyteti tajlandez i Bangkokut, po përpiqej të ulej të dielën rreth orës 9 të mëngjesit në aeroportin në jug të Koresë.

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e përplasjes së mjetit me një tufë shpendësh, nëse ndonjë nga sistemet e kontrollit të avionit ishte çaktivizuar dhe ngutjen e pilotëve për të tentuar uljen e menjëhershme pasi shpallën emergjencën.

Për ekspertët mbeten shumë pikëpyetje, duke përfshirë arsyet pse avioni dukej se po udhëtonte aq shpejt dhe pse pajisjet e tij të uljes nuk dukej ishin aktivizuar kur rrëshqiti në pistë dhe drejt barrierës prej betoni.

Të hënën, zyrtarët e Ministrisë së Transportit thanë se teksa pilotët po afroheshin, ata i thanë kullës së kontrollit të trafikut ajror se avioni kishte goditur disa zogj, pak pasi kulla i paralajmëroi se afër zonës kishte zogj.

Pilotët më pas sinjalizuan për ndihmë dhe qëllimin e tyre për të mos u ulur dhe për të bërë një tjetër devijim për ta provuar përsëri. Menjëherë pas kësaj, avioni zbriti në pistë me bark, duke prekur rreth 1.200 metra nga pista 2.800 metra e gjatë dhe duke rrëshqitur në barrierën në fund të pistës.

"Nuk duhet muri"

Zyrtarët po hetojnë se çfarë roli luajti antena e lokalizimit, e vendosur në fund të pistës për të ndihmuar në ulje, në përplasje, duke përfshirë barrierën prej betoni në të cilën po qëndronte.

"Normalisht, në një aeroport me një pistë në fund, nuk ke një mur," tha Kristian Bekert (o. Christian Beckert), ekspert sigurie për fluturimet dhe pilot i Lufthansa-s. "Ndoshta ke një sistem kapës e ndalues, që e lejon aeroplanin të zhytet pak në tokë dhe e frenon."

Përplasja vrau kryesisht banorë vendas që po ktheheshin nga pushimet në Tajlandë, ndërsa dy shtetas tajlandezë gjetën vdekjen gjithashtu.

Zyrtarët e ministrisë së transportit thanë se regjistruesi i të dhënave të fluturimit të avionit është gjetur, por duket se ka pësuar disa dëmtime nga jashtë dhe nuk është e qartë nëse të dhënat janë prekur aq sa të mos analizohen.

Aeroporti Ndërkombëtar i Muanit mbetet i mbyllur deri të mërkurën, por pjesa tjetër e aeroporteve ndërkombëtare dhe rajonale të vendit, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar kryesor Incheon, po funksionojnë sipas planit. /Reuters

/rtsh.al/