RTSH 24 Live

Aktualitet

Konstitucionalistja Anastasi për ATSH: Gjykata Kushtetuese funksionale me 7 anëtarë, 25 çështje në pritje për gjykim

01/01/2021

Konstitucionalistja Anastasi për ATSH: Gjykata Kushtetuese funksionale me 7 anëtarë, 25 çështje në pritje për gjykim

 


“Gjykata Kushtetuese me 7 anëtarë, mund të kryejë të gjitha funksionet e parashikuara nga Kushtetuta e ligji, ndërkohë që janë rreth 25 çështje që presin në radhë për gjykim në seancën plenare, disa prej tyre kërkesa me karakter politik nga subjektet publike ose politike”, tha në një intervistë për ATSH-në, anëtarja e Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Aurela Anastasi.
Prof. Dr. Aurela Anastasi tha se “emërimi rishtazi i tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (GJK) e çon përbërjen e saj në 7 gjyqtarë, gjë që e bën funksionale këtë Gjykatë”.
“Prej vitit 2018, Gjykata Kushtetuese nuk e ka pasur kuorumin e nevojshëm ligjor, jo vetëm për shqyrtimin në seancë plenare, por edhe për shqyrtimin paraprak të kërkesave në kolegje. Këto të fundit, rinisën punën në nëntor të vitit 2019, ndërsa mungonte numri i anëtarëve për të gjykuar në seancë plenare. Sot, me 7 anëtarë, ajo mund të kryejë të gjitha funksionet e parashikuara nga Kushtetuta e ligji”, tha ajo.
Përbërja e Gjykatës Kushtetuese kërkon plotësimin me 9 anëtarë, por pavarësisht nga ky fakt, Prof. Dr. Anastasi tha se “seanca plenare mund të mblidhet edhe me praninë e 7 anëtarëve”.
“Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjet në seancë plenare me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve …, por në asnjë rast të jo më pak se të dy të tretave të tyre” (neni 32/1). Nga përmbajtja e këtij neni kuptojmë se, si rregull, gjykimi i çështjeve kryhet në prani të të gjithë gjyqtarëve, por në raste përjashtimore mund të kryhet edhe me më pak se 9 gjyqtarë, deri në 6 prej tyre. Megjithatë, neni shpreh qartë se, mungesa e gjyqtarëve nuk mund të pengojë Gjykatën Kushtetuese që të mblidhet në seancë plenare”, tha Prof. Dr. Anastasi.
Ajo theksoi se “edhe në praktikën e ndjekur prej saj, kjo gjykatë ka shqyrtuar mjaft çështje me më pak se 9 gjyqtarë”.
“Kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, siç ishin: mungesa e gjyqtarit në punë ose heqja dorë e gjyqtarit nga gjykimi. Edhe në përvojën e Gjykatave Kushtetuese të vendeve të tjera, një mungesë e tillë nuk përbën shkak për mosfunksionimin e plotë të gjykatës Kushtetuese”, tha ajo në intervistën për ATSH'.
Konstitucionalistja Anastasi tha se “një çështje tjetër që shkruhet në këtë situatë, lidhet me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese”. “Ligji vendos se, ‘vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj” (neni 72/2)’. Pra, për të marrë një vendim në seancën plenare, duhet të krijohet një shumicë minimale prej 5 gjyqtarësh. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka mundësi të krijojë një shumicë prej 5, 6 ose 7 gjyqtarësh. Teorikisht, mund të ndodhë që gjyqtarët të mos arrijnë shumicën dhe gjatë votimit të ndahen, katër me tre. Kjo situatë zgjidhet në bazë të ligjit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Prof. Dr. Anastasi vijoi më tej duke theksuar se “ndryshimet e vitit 2016 të këtij ligji, kanë theksuar shprehimisht: “Kur nuk formohet shumica prej 5 gjyqtarësh, kërkesa konsiderohet e rrëzuar” (73/4). Pra, një vendim i Gjykatës Kushtetuese me shumicë prej 4 votash është i mundur, por vetëm për të rrëzuar kërkesën dhe jo për ta pranuar atë”.
Për sa më sipër, ajo theksoi se “ka vlerë të analizohen pasojat e këtij vendimi”. “Juridikisht, ai konsiderohet një vendim përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim. Porse, nuk mund të shërbejë si një precedent për zgjidhjen e rasteve të tjera të ngjashme. Një vendim i tillë nuk krijon mundësinë për asnjë palë kërkuese në Gjykatën Kushtetuese që të realizojë interesat kushtetuese dhe ligjore të parashtruara. Një “fitore” e kërkuesit me një shumicë më të vogël se 5 anëtarë, nuk të shpie në pranimin e kërkesës, por në rrëzimin e saj, gjë që do të përkthehej në një fitore për palën kundërshtare”, tha ajo.
Konkretisht, Prof. Dr. Anastasi tha se “çdo subjekt politik që ka vënë në lëvizje këtë gjykatë, nuk mund të realizojë interesat kushtetuese a politike që ka parashtruar në kërkesë”.
“E njëjta gjë mund të thuhet edhe për interesat kushtetuese të individëve. Në një rast të tillë, ligjvënësi ka parashikuar se: “Në rast se kjo shumicë nuk formohet dhe ekziston mundësia për përfshirjen në këtë gjykim të gjyqtarëve të tjerë, që më parë nuk kanë marrë pjesë në të, seanca riçelet dhe shqyrtimi i çështjes fillon nga e para” (neni 73/3). Por, aktualisht, kjo dispozitë e ligjit mund të zbatohet vetëm kur përbërja e Gjykatës Kushtetuese të plotësohet me anëtarët e tjerë”, tha ajo për ATSH.
Një shqetësim tjetër, sipas saj, “lidhet me shpejtësinë në gjykim”. “Janë rreth 25 çështje që presin në radhë për gjykim në seancën plenare. Shumicën prej tyre e përbëjnë ankimet individuale, por ka edhe kërkesa me karakter politik nga subjektet publike ose politike. Në praktikën e saj të mëparshme, Mbledhja e Gjyqtarëve ka vendosur edhe prioritete për radhën e gjykimit. Mbase kjo mundësi mund të përdorej edhe tani për çështje të caktuara, sipas rastit”, tha ajo.
Megjithatë, Prof. Dr. Anastasi u shpreh për ATSH se “është i nevojshëm përshpejtimi i zgjedhjes së 3 anëtarëve që vijnë nga Pushteti Gjyqësor, proces ky që lidhet ngushtë me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë”.
“Viti që po lamë pas, përpos përballimit të situatave të jashtëzakonshme, ishte viti i Gjykatës Kushtetuese dhe gjithë vëmendja u përqendrua tek ajo. Viti që po vjen, me siguri do të jetë viti i Gjykatës së Lartë, me qëllim plotësimin e anëtarëve të saj. Më tej, duhet të kryhet edhe procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve kushtetues që u ka mbaruar ose pritet t’u përfundojë mandati”, theksoi Prof. Dr. Anastasi për ATSH-në.