Kompanitë gjermane po rrisin investimet e tyre direkte në Kinë këtë vit, pavarësisht se qeveria e tyre u kërkon atyre të reduktojnë varësinë ndaj gjigantit aziatik.
Sipas të dhënave nga banka qendrore gjermane, Bundesbank, investimet direkte në Kinë ishin 2.48 miliardë euro në tremujorin e parë të 2024, duke arritur në 4.8 miliardë euro në tremujorin e dytë.
Shifra totale në gjashtë muajt e parë të 2024 arrin në 7.3 miliardë euro, duke tejkaluar 6.5 miliardë euro të investuara gjatë gjithë vitit 2023.
Kjo tendencë, e nxitur kryesisht nga kompanitë e mëdha gjermane të automobilave, vazhdon pavarësisht paralajmërimeve nga administrata e kancelarit Olaf Scholz për rritjen e rreziqeve gjeopolitike të lidhura me tregun kinez.
Gjithashtu, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u ka kërkuar bizneseve në të gjithë Bashkimin Evropian të reduktojnë ekspozimin e tyre ndaj ekonomisë më të madhe të Azisë.
Kompanitë e mëdha, veçanërisht prodhuesit e automjeteve, duket se po shpërfillin paralajmërimet e Berlinit, duke vazhduar të përqendrojnë investimet e tyre në tregun kinez.
Audi nisi një bazë prodhimi të automjeteve elektrike në janar, ndërsa Mercedes-Benz dhe BMW, në një sipërmarrje të përbashkët, planifikojnë 1000 stacione karikimi deri në vitin 2026 dhe prodhuesi i optoelektronikës Zeiss ka hapur qendrën e tij më të madhe në provincën Guangdong.
Kompanitë gjermane po riinvestojnë një pjesë të konsiderueshme të fitimeve të tyre kineze përsëri në Kinë. Instituti i Kërkimeve Ekonomike të Këlnit raporton se më shumë se gjysma e të ardhurave prej 19 miliardë eurosh të vitit të kaluar u riinvestuan atje.
Një sondazh i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë i publikuar në qershor zbuloi se kompanitë gjermane janë bërë gjithnjë e më optimiste për ekonominë e Kinës. Sipas të dhënave, 53% e kompanive gjermane synojnë të rrisin investimet e tyre gjatë dy viteve të ardhshme, me të anketuarit që përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Sipas SCAN TV
/ rtsh.al /