RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit miraton kandidaturën e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, David J. Kostelancik

16/04/2024

Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit miraton kandidaturën e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, David J. Kostelancik

Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit e miratoi të martën kandidaturën e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, David J. Kostelancik. Ende nuk dihet nëse Senati do ta marrë në shqyrtim në kalendarin e tanishëm legjislativ votimin e kandidaturës së tij dhe është e paqartë se kur mund të ndodhë.

Shtëpia e Bardhë e riemëroi Kostelancik këtë vit si ambasador në Shqipëri, duke rifilluar kështu procesin për shqyrtimin e kandidaturës, pasi në përfundim të kalendarit legjislativ të vitit të kaluar, së bashku me dhjetëra emërime të tjera, ajo nuk u fut në rendin e ditës të Senatit për votim.

Emërimet ishin bllokuar nga disa senatorë republikanë, një praktikë e zakonshme kjo e betejave politike në Uashington.

Vitin e kaluar, më 30 mars, gjatë seancës dëgjimore për miratimin e kandidaturës së tij në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë, Kostelancik pati parashtruar përparësitë e tij si ambasador i ardhshëm në Shqipëri.

“Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kostelancik, duke theksuar se përparimi i Reformës në Drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Kostelancik është diplomat karriere i Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara dhe ka shërbyer në Shqipëri edhe më herët, në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur në Tiranë.

/rtsh.al/