Me ngritjen e komisionit parlamentar për dezinformimin, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i ka dërguar një letër zyrtarit të DASH, James Rubin pikërisht për të dhënë eksperiencën dhe ndihmën e tij për të parandaluar influencat e huaja në Shqipëri.
Në letrën e Nikollës drejtuar zyrtarit të DASH thuhet se “teksa Shqipëria përpiqet të adresojë influencat e huaja malinje, komisioni do të përfitonte shumë nga përvoja dhe njohuritë tuaja”.
Gjithashtu Nikolla ka kërkuar që zyrtari i DASH të mbante një fjalim në Kuvend, pikërisht “rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet malinje të huaja”.
Mazhoranca miratoi sot me votat e saj në Konferencën e Kryetarëve, ngritjen e Komisionit të posaçëm për Dezinformim. Fokusi i këtij komisioni do të jetë koordinimi dhe mbikëqyrja e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.
Letra e Lindita Nikollës për zyrtarin e DASH
I nderuari James Rubin I Dërguari Special dhe Koordinator për Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit të SHBA
I nderuar zoti Rubin,
Po ju shkruaj në lidhje me mocionin e fundit të iniciuar nga një grup deputetësh për krijimin e një Komisioni të Posaçëm për të luftuar ndikimin malinj të huaj, përfshirë dezinformimin. Konferenca e Kryetarëve miratoi sot vendimin e Parlamentit për krijimin e një komisioni të tillë dhe e përcolli për miratim në seancë plenare.
Meqenëse Shqipërisë i mungon një kornizë e duhur për të trajtuar ndikime të tilla, unë do të doja ju bëj një ftesë për të vizituar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Komisioni do të përfitonte shumë nga përvoja dhe njohuritë e vlefshme tuaja për t'iu kundërvënë këtyre forcave.
Për më tepër, do të doja t'ju kërkoja t'i drejtoheni Parlamentit për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet malinje të huaja. Fjalimi juaj do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe inkurajimin e bashkëpunimit në këtë çështje vendimtare.
Faleminderit për konsideratën tuaj dhe pres me padurim përgjigjen tuaj.
Sinqerisht,
Lindita NIKOLLA
/rtsh.al/