RTSH 24 Live

Botë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton planin amerikan për Gazën

10/06/2024

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton planin amerikan për Gazën

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar projekt-rezolutën amerikane që mbështet planin e armëpushimit në Gaza të shpallur nga Presidenti, Joe Biden dhe fton Hamasin ta pranojë atë. Teksti - për të përmbushur kërkesat e disa vendeve që donin gjithashtu të përmendej Izraeli - u kërkon "të dyja palëve të zbatojnë plotësisht kushtet e planit pa vonesë dhe pa kushte". Drafti u miratua me 14 vota pro dhe Rusia abstenoi.

Blinken: Vetëm Hamasi nuk po e pranon planin

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të hënën se Hamasi është pala e vetme që nuk ka rënë dakord ende me propozimin amerikan për armëpushim në Gazë.

Ai i bëri këto komente në fillim të vizitës së tij në Lindjen e Mesme, në Kajro, ku u takua me Presidentin e Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi, para se të udhëtonte në Izrael, Jordani dhe Katar ku do të takohet me zyrtarët më të lartë të këtyre shteteve.

“Shtetet e rajonit dhe vendet tjera të botës, si dhe organizatat ndërkombëtare, të gjitha e kanë mbështetur planin. Dhe i vetmi përjashtim në këtë moment, është Hamasi” deklaroi zoti Blinken gjatë vizitës në Kajro.

“Nëse doni armëpushim, bëjini trysni Hamasit të pajtohet me propozimin”, tha Blinken duke e bërë përgjegjës grupin militant për mungesën e marrëveshjes. 

“E di që ka nga ata që janë pesimistë. Është e kuptueshme. Hamasi po vazhdon të tregohet cinik në veprimet e veta, të shpërfillë jo vetëm mirëqenien dhe sigurinë e izraelitëve, por edhe të palestinezëve.”

/rtsh.al/