Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka punësuar një negociator të ri për të ndihmuar në "rivendosjen" e marrëdhënieve me Evropën, "për interesat kyçe të Mbretërisë së Bashkuar", ku hyjnë tregtia, siguria dhe politika kufitare.
Kryeministri Sir Keir Starmer është angazhuar për një "rivendosje" të marrëdhënieve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së edhe më parë. Ai tha se do të kërkonte një marrëveshje më të mirë për tregtinë sesa ajo e negociuar nga Boris Johnson në fund të vitit 2020.
Megjithatë, kryeministri ka thënë se rivendosja nuk do të thotë ndryshim i Brexit. Roli i ri i negociatorit shpallet si "një pozicion i profilit të lartë që do të marrë një shqyrtim të konsiderueshëm publik dhe vëmendje politike", thuhet në një postim në internet publikuar nga Zyra e Kabinetit.
Sekretari i Dytë i Përhershëm për Bashkimin Evropian dhe Çështjet Ekonomike Ndërkombëtare do të veprojë si një "një përfaqësues i lartë dhe personal i kryeministrit në samitet dhe angazhimet ndërkombëtare".
Personit do t'i kërkohet të mbikëqyrë dhe të udhëheqë zhvillimin e politikave mbi tregtinë, duke përfshirë Kornizën Windsor, Marrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit, Skemën e hyrjes dhe daljes - një skemë e re digjitale kufitare e BE-së - dhe pyetje të tjera të politikave kufitare.
Një zëdhënës i Zyrës së Kabinetit tha: “Ndërsa rivendosim marrëdhëniet tona me BE-në, duke ndërtuar lidhje më të ngushta tregtare dhe sigurie dhe duke inkurajuar më shumë investime nga e gjithë bota, ky rol i ri do të mbikëqyrë këtë punë”.
“Duke i raportuar ministrit për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, ata do të udhëheqin diskutimet në nivel zyrtar me BE-në, ndërsa ne drejtojmë rritjen ekonomike.”
Starmer ka thënë se dëshiron të forcojë marrëdhëniet me BE-në. Në tetor, ai bëri vizitën e tij të parë në Bruksel që kur u bë kryeministër, ku u prit ngrohtësisht nga presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.
Starmer bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë për mbrojtjen dhe sigurinë, ndryshimin e klimës, migrimin e parregullt dhe për ofrimin e rritjes ekonomike për të ndihmuar që Brexit të funksionojë në interes të Mbretërisë së Bashkuar. BBC
/rtsh.al/