RTSH 24 Live

Politikë

Kërkesa për arrestim/ Reagon Ahmetaj: Do nxjerr të vërtetën, largimi nga Shqipëria për arsye familjare

14/07/2023

Kërkesa për arrestim/ Reagon Ahmetaj: Do nxjerr të vërtetën, largimi nga Shqipëria për arsye familjare

“Dy zgjidhje ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”, kështu ka deklaruar ish-ministri Arben Ahmetaj, teksa citon një thënie franceze, në reagimin e tij të parë pas kërkesës së SPAK për arrestimin e tij dhe pak minuta para mbledhjes së Kuvendi për shqyrtimin e  kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.

Teksa rendit punët që ka kryer gjatë viteve të tij si politikan, deputet, ministër e zv.kryeministër, Ahmetaj sqaron se largimi jashtë Shqipërisë lidhet me arsye serioze familjare.

Më tej, Ahmetaj ka sqaruar të vërtetën e tij, ndaj akuzave për të cilat SPAK e akuzon, teksa ka dhënë dhe një mesazh për kolegët e tij të mazhorancës dhe opozitës të cilët sot në Kuvend do të votojnë për kërkesën e SPAK, duke thënë se “I falenderoj te gjith koleget e mi, te mazhorances dhe opozites qe do te votojne sot, dhe ata qe vrapojne dhe thone qe pergjegjesia eshte personale. Poooo personale eshte kur e shkel. Sidomos per ata te hershem, sot ne opozite, e te rinj qe firmosin per pune e projekte….”.

Reagimi i plotë i Ahmetajt:

Të dashur qytetarë të Vendit tim,

Të dashur votues të mi e të Partisë Socialiste,

Te dashur Miq e Armiq njelloj

 Sot është dita kur Parlamenti do votojë heqjen e imunitetit tim, dhe autorizimin e arrestimit tim. Mendova qe të ndaja me votuesit e mi kryesisht, dhe me të gjithë qytetarët këtë mesazh.

 Votuesve të mi:

 Juve që më votuat në Tirane në 2005, juve që më votuat në Korcë në 2009, juve që më votuat në 2013 në Gjirokastrën time, në Përmetin tim e në Tepelenën time, juve që më votuat në Rrogozhinën time e në Kavajën time në 2017, juve që më votuat në Njësinë nr. 4 në Tiranë, e në gjithë qarkun e Tiranës në 2021 :

 Faleminderit nga zemra!

 Shpresoj e lutem ta kem justifikuar besimin tuaj. Në mendje ju kisha pikrisht juve, që kur ideova e hartuam taksën progresive që i dha të drejtë të gjithë atyre që paguheshin më pak e paguanin më shumë. Shpresoj të kam bërë më të mirën time kur mora përsipër Ministrinë e Ekonomisë dhe marrëdhëniet me sipërmarrjen, e më vonë edhe turizmin. Frytet t’i gëzojë vendi, sipërmarrja e qytetarët e zakonshëm.

 Shpresoj të kem bërë më të mirën kur mora përsipër Financat në një periudhë tejet të vështirë për ekonominë e vendit dhe i dorëzova në kulmin e rritjes reale.  Shpresoj të kem bërë më të mirën me Rindërtimin, kur mijëra e mijëra familje ngelën rrugëve pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. S’kam për ta harruar atë nënën në Vaqarr që qante me lot kur hyri në shtëpi falas, e prone e vetë, e si ajo mijëra familje.  Shpresoj të kem bërë më të mirën dhe me pandeminë, me sipërmarrjen dhe me rendjen së bashku me kolegë, për vaksinat që nga India, Jordania, Anglia, Amerika e Turqia e gjithandej për të shpëtuar jetët e qytetarëve të vendit tim. Shpresoj të kem bërë më të mirën si ZvKM, me ideimin dhe fillimin e dixhitaliziit të kadastrës, apo dhe statelitët Albania1 e Albania2 që, sic thotë Niko i Lesajve, po më ndjekin mua në “arrati”. Jam munduar  të bej më të mirën.

 Kush qeveris e punon, nuk është kurrë dot perfekt. Ju kërkoj ndjesë dhe për këtë.

 Une nuk hyj tek “fytyrat e bukura” që ngjaj bukur në TV, dhe të ngjall perceptim pozitiv, sic rëndom ndodh me këdo që refuzon të ikë nga ekrani duke treguar bëma të bëra e pa bëra. Fatkeësisht, ose fatmirësisht, s’jam i tillë. Nëna dhe Babai më kanë dhënë një fytyrë krejt të zakonshme. Ndoshta serioziteti im në punë mund të jetë marrë dhe për arrogancë, s’ka qenë i tillë kurrë, kush me njeh nga afër, e di mirë këtë. Gjithsesi, ndjesë dhe për këtë.

 Falenderoj dhe Kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë. I “miërkuptoj” për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojn statistika. Sic tha dhe avokati im “Populizmi gjyqësor e penal në ngjitje është më i rrezikshëm se sa populizmi politik, për shkak se humbet e i mungon legjitimiteti demokratik”. Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.

 Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korca, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni. Dhe lutem e shpresoj që Drejtësia e Re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës.

 E kam perjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” ( së bashku me ata që më duan të vdekur, sic tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, “marrjen peng” të bashkëjeteueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave,  ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit, të qenit një “black falling star” në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë (meqë ra fjala, dhe lufta në Kosove dikur zgjati më pak në media se sa emri im servirur nga Spin Doktor/doctors si gjellë e helmuar e përditshme), pastaj disa “falanga” të dala nga kuadri i ligjit që nuhasnin gjurmët e mia. Në shume vende demokratike ku Spin doctor/doctors nuk do arrijnë të strukturojne mesazhin…kjo quhet “PËRNDJEKJE”. Ka një nen në Kodin penal, ndoshta 121, ndoshta 128.

 Ahhh, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv, e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë.  I kuptoj që “duhet” të kishin e kenë frikë, ndoshta.  Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur “armiku” që do dimensionohej e ridimensionohej më pas në shumë episode.

/rtsh.al/