Magjistratët e SPAK pritet të kenë mbrojtje të posaçme. Në këtë përfundim dolën krerët e institucioneve të sigurisë të cilat zhvilluan një takim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Këtë mbledhje e ndoqi gazetarja e Radio Televizionit Shqiptar Flutura Tota, e cila dha detaje mbi mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot në KLP ku mori pjesë dhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe kreu i Gardës së Republikës.
“Sot në KLP u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme ku mori pjesë dhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, Rrumbullaku.
Javën e ardhshme do të mbahet dhe një mbledhje ku sipas Ballës do të bëhet publik dhe ndryshimi i VKM-ve për rritjen e sigurisë për magjistratët.
Prokurorët e SPAK mund të kërkojnë mbrojtje të menjëhershme, nga kreu i strukturës së posaçme, ndërsa prokurorët e rretheve mund të çojnë një e-mail në prokurorin e rrethit dhe më pas ai vë në lëvizje strukturat ligjzbatuese.
Mbledhja e sotme ishte e jashtëzakonshme duke u nisur nga dëshmia e Artan Tafanit i cili në rrëfimin e tij dha detaje se si grupi kriminal i drejtuar nga Leart Haxhiu kishte planifikuar eliminimin e dy prokuroreve.
Dy VKM-të kanë në fokus mbrojtjen e magjistratëve, prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Tota.
/rtsh.al/