RTSH 24 Live

Aktualitet

Kënde ngushëllimi për Kadarenë në Gjirokastër

02/07/2024

Kënde ngushëllimi për Kadarenë në Gjirokastër

Në Gjirokastër, vendlindja e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, në këto ditë zije janë vendosur dy kënde ngushëllimi, ku qytetarët dhe turistët po lënë mesazhet e tyre në librat e vendosur aty.

Një prej këndeve është vendosur tek Qafa e Pazarit, ku ndodhet bazorelievi “Nderi i Qytetit” për shkrimtarin dhe tjetri tek shtëpia-muze e Kadaresë.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha për ATSH-në se “është momenti të nisim procedurat për të pasur në një shesh kryesor monumentin e Kadaresë sepse ka bërë shumë për qytetin”. “Kadare e meriton monumentin e tij në Gjirokastër, pasi e bëri të njohur atë në mbarë botën me librat e tij. Për realizimin e këtij projekti do të bashkëpunojmë dhe me Ministrinë e Kulturës”, theksoi Golemi.

Në shtëpinë muze të Kadaresë në dy ditët e zisë hyrja është e lirë për vizitorët. 

Të  mërkurën drejtues të pushtetit vendor, qytetarë, etj do të zhvillojnë homazhe në nderim të Kadaresë në shtëpinë e tij muze.

Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. 

Me një korpus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe.

/ rtsh.al /