Studentët e Universitetit " Fan Stilian Noli" të Korçës do të kenë mbështetje me shërbime me tarifa të reduktuara ose falas, me Kartën e Studentit.
Marrëveshja për Kartën e Studentit u firmos nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo. “Ky është një lajm i mirë për studentët e Universitetit të Korçës” shkroi me këtë rast kryeminitri Edi Rama." Ajo do të garantojë tarifa të reduktuara dhe akses falas në shërbime të ndryshme në qytet”, u shpreh ai.
Pas Universitetit të Tiranës dhe të Durrësit që tashmë e aplikojnë Kartën e Studentit, kjo kartë sjell favore të shumëfishta edhe për studentët e Universitetit të Korçës “F.S. Noli”. Ata do të përfitojnë bileta me gjysmë çmimi për shfaqjet në teatrin “Andon Zako Çajupi”, hyrje falas në eventet sportive të organizuara nga klubi “Skënderbeu”. Po ashtu, atyre do t’u ofrohet me tarifa të reduktuara vizitat në Muzeun Oriental “Bratko”, Muzeun e Fotografiaë “Gjon Mili”, Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, etj.
Studentët gjithashtu do të përjashtohen nga tarifat e pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit, nëse marrin iniciativën për të hapur një biznes në vitin 2024.
/ rtsh.al /