RTSH 24 Live

Aktualitet

Kapet në portin e Durrësit 34-vjeçari, i gjenden 88 mijë euro të fshehura në trup

3 orë para

Kapet në portin e Durrësit 34-vjeçari, i gjenden 88 mijë euro të fshehura në trup

Një 34-vjeçar është vendosur në pranga pasi u kap në portin e Durrësit me 88 mijë euro të fshehura në trup dhe çantë që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale.

34-vjeçari është kapur pasi pas kontrolleve në kamionin që drejtonte ky shtetas u gjetën 18 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara, ndërsa i janë sekuestruar edhe shifra prej 88 mijë eurosh.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm dhe të sigurtë të shtetasve dhe mallrave, Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, finalizuan operacionin policor të koduar “Pakot”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, me metoda bashkëkohore,  kamioni që drejtonte 34-vjeçari”, thuhet në njoftimin e policisë.  

Pas kontrolleve ndaj këtij shtetasi, policia i ka gjetur të fshehura në trup dhe në çantë, me qëllim mosdeklarimin, 88 000 euro (të ndara në 4 pako të mbështjella me natriban) “që kanë burim të dyshimtë, ndërsa në kamion janë gjetur 18 shishe me verë që dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me faturë blerjeje”.

Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për hetime të mëtejshme, për veprat penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.

/rtsh.al/