Një sasi prej 320 kilogramë kokainë është gjetur në dy kontejnerë me karkaleca të ngrirë në Portin e Pireut në Greqi.
Dy kontejnerët, sipas medieve greke, ishin nisur nga Amerika Latine dhe kishte si destinacion Shqipërinë. Dyshohet se më pas do të trafikohej drejt Evropës Qendrore dhe Veriore.
Sasia e kokainës ishte ndarë në 180 në pako të fshehura mes karkalecave të ngrirë. Operacioni u zhvillua nga Prokuroria e Narkotikëve të Atikës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Narkotikëve të SDOE-së dhe Doganën e Pireut.
Për rastin në pranga ranë 4 persona, dy shtetas shqiptarë dhe dy shtetas grekë. Dy shqiptarët e arrestuar janë Jasona Mërkuri (Andrea Mërkuri, Azdren Muharremi), 54 vjeç dhe Marsel Stafaj 36 vjeç si dhe shtetasi grek Ioannis Biglakis 64 vjeç dhe Alexandros Merkouris.
Andrea (Jasona) Mërkuri, ishte shpallur në kërkim që në 2017, ku kërkohej për prodhimin në laborator të pilulave Captagon që kryesisht trafikohej në vendet e Lindjes së Mesme dhe kishte marrë edhe emërtimin si “droga e xhihadistëve”.
Shtetasi grek Ioannis Viglakis rezulton i arrestuar në vitin 2012 në Kosta Rika për transport armësh. Ai u ekstradua në SHBA kur kërkohej për bashkëpunim me organizatën kriminale në Kolumbi ku do të shkëmbente armët me kokainë.
Skema e trafikut të drogës
Shqiptari Jasona Mërkuri (Andrea Mërkuri, Azdren Muharremi) konsiderohej edhe “koka e trafikut” të drogës. Ishte ai që kujdesej për gjetjen e sasive të trafikuara të drogës, financimin e blerjes dhe transportit dhe organizimin e dërgesës nga Panamaja e Kolumbia drejt vendeve evropiane.
Më pas ortaku i tij , shqiptari Marsel Stafaj 36-vjeç merrej me gjetjen dhe rekrutimin e partnerëve në Greqi për importimin dhe marrjen e drogës dhe trafikimin e saj
Gjithashtu edhe dy shtetasit grekë të arrestuar kishin rolet e tyre. Ioannis Viglakis ishte përgjegjës për komunikimin me anëtarët e tjerë të organizatës kriminale që ndodheshin jashtë vendit, duke i përfaqësuar ata për koordinimin e furnizimit dhe financimin e blerjes së sasive të drogës që do të trafikohej, ndërsa Alexandros Merkouris ishte përgjegjës për mbulimin operacional dhe mbrojtjen e Jasona Mërkurit “kokës së bandës” duke marrë masat e duhura për të shmangur arrestimin e tij.
/rtsh.al/