Më shumë se 70 persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor në jug të Etiopisë mesditën e së dielës.
Kamioni që po transportonte pasagjerë duhej të kalonte urën e rajonit të Bonës në Sidamë, kur doli nga rruga dhe u fundos pjesërisht në lumë, rreth 300 km larg kryeqytetit Adis-Ababa.
Sipas Drejtorisë për Parandalimin dhe Kontrollin e Trafikut, 68 meshkuj dhe tre femra u gjetën pa jetë në vendngjarje. Shumë prej pasagjerëve po kthehen nga një ceremoni martesore.
"Pesë të tjerë janë në gjendje kritike për jetën dhe po marrin trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Bonës," deklaroi zëdhënësi i qeverisë lokale të Sidamës.
Autoritetet u shprehën ngushëllimet familjeve të viktimave dhe thanë se do të japin më shumë informacion rreth ngjarjes.
Paraprakisht mësohet se mjeti i mbingarkuar me pasagjerë kishte ngatërruar shtegun drejt urës për shkak të rrugës së vështirë.
Aksidentet rrugore në Etiopi janë të shpeshta, pasi rrugët në vendin e dytë më të populluar të Afrikës janë shpesh të dëmtuara. /AJ
/rtsh.al/