RTSH 24 Live

Kulturë

Japonia grant 1 milion euro për Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë

07/06/2022

Japonia grant 1 milion euro për Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë

Qeveria e Japonisë i akordoi Qeverisë së Shqipërisë një grant prej 1 milion eurosh për përmirësimin e ambienteve dhe pajisjeve të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, me synimin për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë nëpërmjet promovimit kulturor.

Marrëveshja ndërmjet dy qeverive u nënshkrua sot në Tiranë, nga Elva Margariti, Ministre e Kulturës dhe Takada Mitsuyuki, Ambasador i Japonisë në Shqipëri.

Ndërkaq u nënshkrua edhe marrëveshja e Grantit ndërmjet JICA dhe Muzeut Historik Kombëtar të Shqipëria. Firmat përkatëse u hodhën respektivisht nga kryepërfaqësuesi i Zyrës për Ballkanin e Agjensisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), Ueki Masahiro dhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë,  Dorian Koçi.

Granti do të financojë Projektin për Përmirësimin e Pajisjeve për Konservimin, Restaurimin dhe Mjedisin Ekspozues në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, i cili do të zbatohet nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.

Ministrja Margariti shprehu falenderime për mbështetjen e qeverisë . “Ky financim do të kontribuojë në realizimin e kushteve më të mira për ruajtjen e artefakteve, në ofrimin e shërbimeve të përshtatshme për vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar dhe në përforcimin e mjedisit arsimor për ekspertët e ardhshëm në universitete dhe institucione të tjera në Shqipëri” tha zonja Margariti.

Ambasadori i japonisë në Shqipëri Takada Mitsuyuki, theksoi se Muzeu Historik Kombëtar është muzeu kryesor në vend që ofron një pasqyrë të historisë së Shqipërisë për vizitorët vendas dhe të huaj.

Muzeu është një institucion i rëndësishëm arsimor edhe për brezin e ri, pasi nëpërmjet këtij Muzeu ata mund të përjetojnë fragmente të së shkuarës së Shqipërisë, tha ai.

Kryepërfaqësuesi i Zyrës për Ballkanin e Agjensisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), Ueki Masahiro, u shpreh i lumtur për nënshkrimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe JICA-s. “Muzeu Historik Kombëtar, është muzeu historik më imadh dhe më i rëndësishëm në Shqipëri” kujtoi ai.

Zoti Masahiro tha se mbështetja pritet të kontribuojnë në realizimin e kushteve më të mira për artefaktet, në ofrimin e shërbimeve të duhura për vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar dhe në përforcimin e mjedisit arsimor për ekspertët e ardhshëm në universitete dhe institucione të tjera në Shqipëri, deklaroi Kryepërfaqësues i Zyrës Ballkanike të JICA .

 Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë,  Dorian Koçi vlerësoi këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm në rivitalizimin e Muzeut Historik Kombëtar që siç u sh preh ai është emblemë që bart  historinë dhe kulturen e Shqipërisë.