RTSH 24 Live

Sociale

“Flauti magjik” në Durrës - Teatri i Operas dhe Baletit, dy ditë shfaqje në “Aleksandër Moisiu”

10/05/2024

“Flauti magjik” në Durrës - Teatri i Operas dhe Baletit, dy ditë shfaqje në “Aleksandër Moisiu”

Kryevepra operistike “Flauti Magjik” është ngjitur në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

E kompozuar nga Wolfgang Amadeus Mozart në vitin 1791, përralla e mbushur me simbolikë, magji, aventurë, me personazhe mistikë dhe meloditë e përjetshme, tërhoqi spektatorë të grupmoshave të ndryshme.

“Flauti magjik”, është një vepër reportori, por interesante është që do të jetë një kast i ri. Kemi sjellë diçka që të jetë shumë më pranë publikut”, tha dirigjenti Dritan Lumshi.

Për artistët kjo ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Nga një anë sjellja në jetë e partiturës së përjetshme të Mozartit me aftësi dhe saktësi, e nga ana tjetër përshtatja edhe me më të voglin e spektator.

Ka qenë një eksperiencë fantastike dhe një kënaqësi e madhe të punuarit me një grup të tillë artistësh. Jam ndjerë shumë e mikpritur dhe shumë e mbështetur. Do të kthehem me kënaqësi sërish në Shqipëri për të kënduar”,  tha Albertina Del Bo në rolin e Mbretëresha e Natës.

Një realizim i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, shfaqja erdhi për artdashësin durrsak për dy ditë rresht, e pas kësaj do të ngjitet në skenat e tjera të qyteteve.

/rtsh/