RTSH 24 Live

Botë

Izralei sulmon një shkollë në Gaza ku ishin strehuar civilë, të paktën 30 viktima

27/07/2024

Izralei sulmon një shkollë në Gaza ku ishin strehuar civilë, të paktën 30 viktima

Një sulm ajror izraelit ka goditur një shkollë në Gazan qendrore, duke vrarë të paktën 30 persona. Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se 100 persona të tjerë u plagosën.

Sulmi goditi shkollën e vajzave Khadija në Deir al Balah, në qendër të Gazës, një nga zonat më të populluara me familje të zhvendosura.

Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar një qendër komanduese të Hamasit. Sipas tyre shkolla po përdorej për të nisur sulme kundër trupave izraelite dhe si një depo armësh dhe se kishte paralajmëruar civilët më parë.

Palestinezët e plagosur janë dërguar në spitalin e afërt Al Aqsa, të tjerë kanë mbërritur atje të gjakosur në këmbë. Izraeli ka thënë më parë se Hamasi qëllimisht futet brenda popullatës civile si mbulesë.

Mediat palestineze thanë se të paktën 14 persona vdiqën gjithashtu në sulmet izraelite të shtunën në Khan Younis, në Gazën jugore.

Ushtria izraelite tha se u kishte kërkuar njerëzve që të evakuonin përkohësisht lagjet jugore dhe të zhvendoseshin në një zonë humanitare në al Mawasi.

Autoritetet shëndetësore të Gazës thonë se më shumë se 39.000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite, shifra që nuk bëjnë dallim midis luftëtarëve dhe civilëve.

Rreth 1200 izraelitë u vranë dhe më shumë se 200 u rrëmbyen në sulmin terrorist të Hamasit që nisi luftën.

Izraeli është zotuar të zhdukë Hamasin, por është kritikuar ashpër për mijëra vdekje - të cilat përfshijnë shumë gra dhe fëmijë - dhe është akuzuar se nuk ka bërë sa duhet për të kufizuar viktimat civile, pretendime që ai i mohon.

Bisedimet e vazhdueshme që synojnë të bien dakord për një armëpushim në këmbim të lirimit të më shumë pengjeve deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme./ Skynews

/rtsh.al/