RTSH 24 Live

Greqi

Ishulli grek Evia përshihet nga flakët - Rrezikon banesa, urdhërohen evakuime në 4 zona

30/07/2024

Ishulli grek Evia përshihet nga flakët - Rrezikon banesa, urdhërohen evakuime në 4 zona

Rreth 205 zjarrfikës dhe 56 automjete janë angazhuar në terren për shuarjen e flakëve që shpërthyen në një zonë pyjore pranë Petries në ishullin e Evia.

Sipas shërbimit zjarrfikës të ishullit kjo vatër është një nga më të rrezikshmet e verës deri më tani, pasi rrezikohen ndërtesa dhe vendbanime të tëra.

Përhapja e flakëve bëri që autoritetet të lëshonin urdhra evakuimi përmes mesazheve me tekst për banorët e të paktën katër zonave Klimaki, Petries, Krieza, Liani Amo .

Sipas raportimeve, pesë avionë zjarrfikës dhe tre helikopterë i shkuan në ndihmë zjarrfikësve në terren mëngjesin e së martës. Siç bëhet e ditur, forcat zjarrfikëse po luftojnë në një front që ndodhet mes zonave Krieza dhe Petries.

Sipas informacioneve, gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit ka mbetur i plagosur një zjarrfikës, i cili është dërguar për mjekim në spital.

Zjarri në ishullin Evia, një nga 54 vatrat që shpërthyen në 24 orët e fundit në Greqi, filloi në një zonë pyjore pranë vendbanimit të Petries pasditen e së hënës dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta që po frynin në zonë, bëri me dije shërbimi zjarrfikës.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/