RTSH 24 Live

Politikë

Ish-të përndjekurit, Manja: Kjo shtresë ka nevojë për rehabilitim dhe drejtësi

30/05/2024

Ish-të përndjekurit, Manja: Kjo shtresë ka nevojë për rehabilitim dhe drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se gjatë qeverisjes së PS janë dëmshpërblyer të gjithë ish-të përndjekurit që kanë vuajtur nëpër burgje dhe se mbeten ende për t’u dëmshpërblyer familjarët dhe trashëgimtarët e tyre.

Nga Kuvendi ku u diskutua për raportin vjetor të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ministri Manja tha se kjo shtresë ka nevojë për rehabilitim dhe drejtësi për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit.

“Ne nuk jemi shkaktarët të tragjedisë dhe vuajtjeve që solli komunizmi. Sot pas 32 vitesh në këtë sallë ende etiketojmë njëri tjetrin ju dhe ne. Për atë që ndodhi në 45 vite në Shqipëri, kjo sallë është borxhlinj e të gjithë asaj shtrese që e pagoi këtë liri me jetën e tyre. Është detyrë e kësaj shoqëria ti japim drejtësi edhe viktimave të komunizmit. Ne e kemi bërë tonën, në krijuam ligjin për të ngritur Autoritetin e Dosjeve të komunizmit dhe Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Kuvendi të japi mbështetjen e duhur për këto dy institucione. Shqipëria e gjitha vuajti pasojat e atij regjimi, por historia e ish-të përndjekurve politikë është një kujtesë e rëndësishëm e çmimit të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Ne si shoqëri kemi detyrë morale e etike për të punuar për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të hapur.

Përmes drejtësisë dhe rehabilitimit të plotë mund të shërohen plagët e së kaluarës dhe të sigurojmë që histori të tilla të mos përsëriten më. Sot drejtuesi i asaj partie që lindi si shpresë drejton opozitë nga arresti i shtëpisë, çfarë bëmë ne për 32 vite për këtë shtresë? Duhet të reflektojmë të gjithë , përfshirë dëmshpërblim i viktimave dhe dënimin e përgjegjësve. Kjo do të bënte rehabilitimin e plotë dhe sigurimin akses në arsim shëndetësi arsimi, njësoj si të gjithë të tjerët. Çfarë u dhamë ish-të përndjekurve si dëmshpërblim? Ata që vuajtën në burgjet e komunizmit nën qeverisjen tonë janë dëmshpërblyer tërësisht. 280 mln euro dëmshpërblim gjatë qeverisjes tonë por ende mbetet për t’u dëmshpërblyer kjo shtresë flas për familjarët dhe trashëgimtarët e tyre”, tha Manja.

/rtsh.al/