RTSH 24 Live

Politikë

Ish-kryeministri në arrest shtëpie, Berisha përshëndet nga dritarja demokratët

02/01/2024

Ish-kryeministri në arrest shtëpie, Berisha përshëndet nga dritarja demokratët

Ish-kryeministri Sali Berisha është shfaqur publikisht duke përshëndetur demokratët nga dritarja e banesës së tij që pas vendimit të gjykatës e cila caktoi arrest në shtëpi ndaj tij.

Megjithëse sipas vendimit të gjykatës, ish-kryeministrit i kërkohet të mos komunikojë me asnjë person tjetër përveçse me njerëzit e tij brenda shtëpisë, Berisha nuk ka ngurruar të dalë në dritare për të përshëndetur mbështetësit e tij të cilët janë mbledhur poshtë shtëpisë së tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë.

Nga ana e tyre demokratë dhe mbështetës të Sali Berishës të grumbulluar poshtë pallatit të ish-kryeministrit kanë adresuar thirrjet si “poshtë dikatatura” “o Sali o hero gjithë Shqipëria ty të do”, duke u solidarizuar me ish-kryeministrin, për të cilin gjykata vendosi “arrest shtëpie”.

Më 30 dhjetor, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi arrest shtëpie për ish-kryeministrin Sali Berisha, teksa GJKKO miratoi kërkesën e SPAK. Që pas këtij vendimi Berisha është vendosur nën mbikëqyrje policore.

Ky vendim vjen pasi SPAK mori autorizimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Berisha teksa më parë Struktura e Posaçme kishte kërkuar detyrim paraqitje gjë e cila nuk u zbatua nga Berisha duke bërë që të shkohet në një masë më të fortë, atë të masës arrest në shtëpi.

Gjithashtu, në vendim theksohet se Berisha nuk duhet të largohet nga banesa e tij në rrugën “ Mustafa Matohiti” dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të.

Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga "Mustafa Matohiti", Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”, thuhet në vendim ndërsa saktëson se do të mbikëqyret nga punonjësit e policisë.

Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, theksohet më tej në vendim.

/rtsh.al/