RTSH 24 Live

Politikë

Investimet strategjike, opozita kërkesë në Kuvend për ngritjen e Komisionit Hetimor

24/05/2022

Investimet strategjike, opozita kërkesë në Kuvend për ngritjen e Komisionit Hetimor
Gazment Bardhi

Opozita ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike. Kërkesa është firmosur nga 31 deputetë të grupit parlamentar demokrat, ndërsa lajmi është bërë me dije nga ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi nëpërmjet një postimi në Facebook.

Bardhi akuzon se ky ligj u shndërrua nga qeveria për abuzimin me pasuritë publike dhe se, sipas tij, pronat publike po ndahen te familjarët e ministrave dhe miqtë e kryeministrit Edi Rama.

Ligji për investimet strategjike u shndërrua nga Qeveria në ligj për abuzimin me pasuritë publike. Bashkë me një grup kolegësh dorëzuam sot kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar mënyrën e zbatimit të ligjit për investimet strategjike. Shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij”, shkruan Bardhi.

Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015, sipas të cilit shteti i ofron mbështetje me infrastrukturë dhe konsolidim të titujve të pronësisë çdo kompanie që fiton statusin e “investitorit strategjik”.

 

/rtsh.al/