RTSH 24 Live

Aktualitet

Intervista/ Shqipëri- Greqi, media vazhdon të ushqejë keqkuptime e mosbesim. Çelja e ekspozitës në Athinë, lëvizje e zgjuar e Ramës

20/04/2023

Intervista/ Shqipëri- Greqi, media vazhdon të ushqejë keqkuptime e mosbesim. Çelja e ekspozitës në Athinë, lëvizje e zgjuar e Ramës

Për herë të parë një raport analizon rolin e medies në marrëdhëniet mes dy shteteve, Shqipëri – Greqi. Bashkëpunimi midis dy vendeve është intensifikuar sidomos pas fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE). Megjithatë, mosbesimi, por edhe perceptimet e gabuara që të dy shoqëritë kanë për njëra tjetrën kanë komplikuar përmirësimin e klimës politike midis Athinës edhe Tiranës, dhe mediet dhe narrativat që ato përcjellin kanë një ndikim të pjesshëm, por të fuqishëm, në formulimin e këtyre perceptimeve.

Gjetjet, që u publikuan në raportin e parë të Observatorit të Medias (MORE) pjesë e projektit ALGREE, nga Fondacioni Helenik për Evropën dhe Politikën e Jashtme, Eliamep, nxjerrin në pah faktin se mediet zgjedhin të ushqejnë axhendën publike me keqkuptime, mosbesim dhe narrativa negative. 

Alexandra Voudouri, një nga bashkëpunëtoret e këtij raporti, aktualisht korrespondente e gazetës "Kathimerini" në Bruksel në një intervistë ekskluzive për rtsh.al thotë se "mediet në të dy vendet duket se deri më tani nuk kanë arritur të përmbushin nevojën politike dhe shoqërore për marrëdhënie të mira midis dy vendeve".  

Më tej ajo tregon dhe se çfarë duhet të bëjnë gazetarët por dhe si u pa çelja e ekspozitës së kryeministrit Edi Rama në Athinë në mars të këtij viti.

"Politika dhe media nuk kanë arritur të ndjekin hapat e njerëzve që kanë marrëdhënie të mira. Prandaj eshtë koha që mediet të nxjerrin në pah më shumë histori pozitive për bashkëpunimin e dy popujve tanë për të rritur më tej mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë mes dy shoqërive" e mbyll intervistën e saj gazetarja Voudouri. 

Intervista

RTSH: Për herë të parë, një raport analizon medien shqiptare dhe atë greke, narrativën, mënyrën e trajtimit dhe raportimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje Shqipëri-Greqi. Si lindi ideja e Raportit të Observatorit të Medies?

Alexandra Voudouri: Programi i Evropës Juglindore i ELIAMEP ka shumë vite që kryen kërkime në Shqipëri, duke monitoruar tendencat politike si dhe sondazhe të opinionit duke hetuar sesi grekët dhe shqiptarët i perceptojnë marrëdhëniet midis vendeve të tyre, por edhe se si e shohin njëri-tjetrin. Një nga konkluzionet kryesore të këtyre sondazheve ka qenë se marrëdhëniet mes dy popujve janë përmirësuar gjatë dy viteve të fundit, por kjo sigurisht nuk u reflektua në qasjet e medieve në të dy vendet. Në fakt, mediet në të dy vendet po ushqenin (dhe ende po) ushqejnë axhendën publike me keqkuptime, mosbesim dhe narrativa negative.

Prandaj, kreut të Programit tonë, Ioannis Armakolas, i lindi ideja e krijimit të një ekipi Monitorimi të Medies në Athinë dhe Tiranë, i cili do të fokusohej në raportimin e medieve për marrëdhëniet dypalëshe, çështjet politike por edhe ato sociale. Ne kërkuam gjithashtu të ofrojmë diçka të re, një studim me strukturë novatore dhe të lehtë, të këndshëm për t'u lexuar edhe nga ata që nuk janë domosdoshmërisht shqiptarë apo grekë.

Duhet përmendur se raporti ynë është pjesë e një projekti tre vjeçar ALGREE i cili synon të trajtojë në mënyrë gjithëpërfshirëse problemet dhe boshllëqet serioze në marrëdhëniet dypalëshe/zyrtare, shoqërore/në bazë midis Shqipërisë dhe Greqisë.

RTSH: Çfarë roli po luan media, si në Shqipëri dhe në Greqi në marrëdhëniet mes dy shteteve?

Alexandra Voudouri: Një nga pikat kryesore të raportit tonë të parë është se mediet në të dy vendet duket se deri më tani nuk kanë arritur të përmbushin nevojën politike dhe shoqërore për marrëdhënie të mira midis dy vendeve. përkundrejt situatës që po përmirësohet me shpejtësi në nivelin e politikës zyrtare dhe lidhjet shoqërore që ekzistojnë, mediet vazhdojnë të drejtohen nga keqkuptime dhe paragjykime.  

Ata vazhdojnë të humbasin mundësitë e ofruara nga dy qeveritë për të krijuar një hapësirë për raportim më të shëndetshëm dhe diskurs politik. Dhe, siç qartësohet grafikisht në raportin tonë, vetë raportimi problematik ndikon dhe formëson qëndrimet e opinionit publik, të cilat, nga ana tjetër, bëhen pengesë për mirëkuptimin politik dhe shoqëror ndërkufitar.

Megjithatë, qëllimi kryesor i projektit tonë nuk është të drejtojmë gishtin ndaj keqbërjeve apo të kërkojmë llogari nga media për të gjitha pasaktësitë, paragjykimet dhe stereotipet që ende mbizotërojnë në axhendën publike të të dy vendeve. Në vend të kësaj, ne synojmë kryesisht të ofrojmë stimuj për gazetarët, opinionbërësit dhe publicistët për të reflektuar mbi mundësitë e humbura në sferën publike të të dy vendeve.

RTSH: Në raport thuhet se media shqiptare është e fiksuar pas çështjes së kufijve detarë, ndërsa ajo greke është e fiksuar pas marrëdhënieve Turqi-Shqipëri. Të dyja mediet vazhdojnë të përqendrohen më shumë tek incidentet dhe narrativat e tyre riprodhojnë paragjykime dhe stereotipe negative të të dyja shoqërive. A janë të imponuara këto pikëpamje? Çfarë mund të bëhet për të ndryshuar këtë raportim mediatik?

Alexandra Voudouri: Nuk do të thosha se këto këndvështrime janë të “imponuara”, por më tepër pasqyrojnë tendencat e zakonshme të medias globale; pra të evidentohen më shumë këndet problematike të çdo marrëdhënieje shtet me shtet, krizat, interesat kombëtare etj.

Për më tepër, mediet priren të pasqyrojnë më shumë narrativat ose interesat kombëtare të qeverive të tyre përkatëse sesa thjesht të raportojnë mbi fakte ose të vlerësojnë dimensionin e vërtetë të disa realiteteve politike si në rastin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Turqinë. Për shembull, mediet greke priren të mbitheksojnë lidhjen mes Tiranës dhe Ankarasë dhe ta keqinterpretojnë plotësisht Shqipërinë si një përfaqësuese të Turqisë në rajon. Nga ana tjetër, narrativa të tilla priren të minojnë çdo përpjekje të bërë për të ndërtuar besimin midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe riciklojnë paragjykimet antishqiptare dhe stereotipet negative.

Në rastin e medies shqiptare ka vërtet një obsesion me kufijtë detarë. Por ata shpesh publikojnë gjysmë të vërteta dhe analiza dhe pretendime të pavërtetuara në lidhje me “qëllimet reale” të supozuara të Greqisë, duke kultivuar një narrativë të grekëve që punojnë për të mashtruar Shqipërinë për të pranuar një marrëveshje që po dëmton interesat e saj kombëtare.

Në të dyja rastet, qeveritë në Shqipëri dhe Greqi janë gjithashtu pjesërisht përgjegjëse, duke pasur parasysh dështimin e tyre si për t'i ofruar njëra-tjetrës siguri për qëllimet e tyre dhe për të ofruar mbështetje të mjaftueshme nër përpjekjet që duhen për të ndërtuar besimin midis dy shoqërive.

Ndryshimi i mbulimit mediatik të çështjeve të tilla nuk do të ndodhë menjëherë. Gazetarët ndonjëherë duhet të distancohen nga narrativat e zakonshme në vendet e tyre përkatëse dhe të kërkojnë fakte, argumente të palës tjetër në mënyrë që të ofrojnë raporte më të balancuara.

Për më tepër, qeveritë, ekspertët dhe mediet duhet të punojnë së bashku për të përmirësuar diskursin publik dhe për të ndërtuar e konsoliduar një atmosferë besimi dypalësh. Ky është në fund të fundit qëllimi i projektit tonë ALGREE; për të lehtësuar këtë lloj komunikimi.

RTSH: Në rastin e aksidentit tragjik të përplasjes së dy trenave, ajo që vura re ishte se në media nuk kishte rëndësi kombësia e personave të përfshirë në këtë tragjedi. Nuk u përmend. Në vendngjarje ndodheshin familjarë të familjeve greke dhe shqiptare, të cilët kërkonin të afërmit e tyre, ndryshe nga historitë e tjera, veçanërisht kur bëhet fjalë për kronikë të zezë, ku mediet greke tentojnë të identifikojnë kombësinë shqiptare të personave të përfshirë. Mendoni se ky është një rast i izoluar, apo është një pikë kthese?

Ne foto: Alexandra Voudouri

Alexandra Voudouri: Faleminderit për këtë pyetje dhe më duhet të pranoj se ne tashmë jemi duke e shqyrtuar këtë rast për raportin tonë të tretë. Në fakt, tashmë po gjurmojmë raportime në mediet greke edhe për çështje penale, ku kombësia shqiptare nuk përmendet ose të paktën theksohet.

Në një ngjarje kaq tragjike, siç ka qenë aksidenti hekurudhor për popullin grek, fakti që viktimat – të rinjtë në shumicën e tyre – nuk janë identifikuar apo ndarë nga tonat/apo të tyret, është vetë një shenjë mjaft pozitive.

Dhimbja e një prindi me origjinë shqiptare është saktësisht e njëjtë me dhimbjen e një prindi grek. Pse dhimbja duhet t'i dallojë njerëzit, familjet e tyre, punën e tyre, vendin e origjinës? Është gjithashtu një shembull tjetër dhe një shembull i fuqishëm që tregon se sa mirë dhe me sukses  është integruar komuniteti shqiptar emigrant në shoqërinë greke.

RTSH: Si e patë vizitën e kryeministrit Rama në Athinë, teksa ai hapi një ekspozitë të artit të tij në Sallën Zappeio në qendër të Athinës? Si u pasqyrua nga mediet greke?

Alexandra Voudouri: Ekspozita e artit e kryeministrit Edi Rama në Athinë u pasqyrua mjaft mirë nga mediet greke. Për të qenë e sinqertë, mendoj se ka qenë një lëvizje e zgjuar në emër të dy qeverive dhe veçanërisht të zotit Rama, që të përdorte ekspozitën dhe artin e tij për të paraqitur këtë lloj profili para publikut grek, i cili u prit mjaft mirë. Fatkeqësisht, emri i kryeministrit Rama është në të shumtën e rasteve duke u pasqyruar negativisht në mediet greke. Mediet priren ta portretizojnë atë si dikë që nuk duhet besuar për shkak të historisë së vjetër të kufijve detarë dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të anuluar një marrëveshje dypalëshe të kaluar, por më së shumti për shkak të marrëdhënies së tij të ngushtë me presidentin e Turqisë, Tayyip Erdogan.

Por kësaj here, intervistat e tij me shtypin grek, fotot e tij si me kryeministrin, ashtu edhe me ministrin e Jashtëm në Athinë kanë pasur një ndikim përgjithësisht pozitiv. Të paktën, grekët mendojnë se e njohin kryeministrin tuaj më mirë se homologët e tjerë në rajonin e Ballkanit

 RTSH: Çfarë mund të bëjnë gazetarët për të bërë ndryshimin?

Alexandra Voudouri: Siç e përmenda edhe më parë, gazetarët thjesht duhet të respektojnë parimet bazë të profesionit tonë. Ne nuk duhet të veprojmë si zëdhënës të qeverive tona apo partive opozitare. Së pari, ne duhet të bëjmë një hap prapa për të kuptuar më mirë çështjet e interesit tonë të përbashkët, për të pranuar argumentet dhe ndjeshmëritë e palës tjetër veçanërisht në rastin e çështjeve të jashtme ose politike dhe kur raportojmë, thjesht duhet të kontrollojmë faktet/kontrollin e kryqëzuar për ngjarjet, deklaratat dhe vlerësojmë realitetin politik, rrethanat në shtetet tona, mes qeverive tona dhe të rajonit. Në rastin e opinionbërësve, mendoj se ka ardhur koha që ata të kuptojnë rolin e tyre si lehtësues të nevojës politike dhe shoqërore për marrëdhënie të mira mes dy vendeve tona.

Gjithashtu, dy vendet tona jo vetëm kanë kufij të përbashkët, por kanë edhe dy elementë të fortë shoqërorë: minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi. Megjithatë, politika dhe media nuk kanë arritur të ndjekin hapat e njerëzve që kanë marrëdhënie të mira. Mediet nuk kanë arritur të sjellin në të njëjtin nivel marrëdhëniet mes dy vendeve. Është koha që mediet të nxjerrin në pah më shumë histori pozitive për bashkëpunimin e dy popujve tanë për të rritur më tej mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë mes dy shoqërive. 

Intervistoi Suela Gera, Alliu

/rtsh.al/