RTSH 24 Live

Teknologji

Informatikani: Sulmi kompjuterik ndaj INSTAT pa rrezik për të dhënat bankare, por kujdes

02/02/2024

Informatikani: Sulmi kompjuterik ndaj INSTAT pa rrezik për të dhënat bankare, por kujdes

Bankat dhe institucionet publike janë vazhdimisht objektiv i sulmeve kibernetike, të cilat herë kanë për synim të vjedhin të dhëna konfidenciale e ndonjëherë shkaktojnë dëme të mëdha financiare për qytetarin ose vetë institucionet bankare.

Hakerimi, piratimi kompjuterik i parave dhe të dhënave, u diskutua të premten në studion e "Mirëmëngjesi Shqipëri" me ekspertin e informatikës, Said Duleviç.

Vetëm një ditë më parë, Instituti i Statistikave ishte preja e radhës e hakerëve, të cilët pretendojnë se kanë siguruar më shumë se të dhëna statistikore të shtetit shqiptar.

"Mendoj se të dhënat bankare nuk rrezikohen, sepse ato janë pjesë e institucioneve private, pra databaza e tyre nuk shpërndahet me institucionet shtetërore. Ajo që duhet të na shqetësojë në raste të tilla është dalja e të dhënave, siç janë adresat, numrat e telefonit," u shpreh z. Duleviç.

Vjedhjet përmes kartave bankare janë një fenomen global që shqetëson organet e rendit dhe financiare. Z. Duleviç tha se një vektor rreziku mbeten vetë bankomatet e instaluara në vendet publike.

"Bankomatet janë makineri dhe mbrapa tyre është një kompjuter. Por përpara se të shkojmë te bankomati është e rëndësishme të kuptojmë që në krahun tjetër ka persona, të cilët shfrytëzojnë çdo mundësi si e si t'u marrin paratë qytetarëve.

Ekziston mundësia e dublikimit të kartave, që do të thotë se ka aparatura që mund të klonojnë procesin kur ti vendos kartën ose vendosin minikamera, të cilat arrijnë të kapin edhe PIN-in e qytetarit. Nëse bëhet ky proces, shumë kollaj mund të shkohet te bankomati i radhës dhe të tërhiqen paratë.

Megjithatë, edhe nëse kjo ndodh nuk është se preken paratë e qytetarit, por të bankës, sepse banka e ka për detyrë të kthejë paratë mbrapsht nëse qytetari bën denoncimin e një transaksioni të dyshimtë me kartën. Transaksionet e fundit duhen parë direkt nga celulari," tha eksperti.

Për një pjesë të madhe të njerëzve, bota online është e panjohur dhe shumë persona nuk janë të informuar.

"Duhet të jetë detyrë e vetë bankave që të informojnë qytetarët herë pas here me fushata të ndryshme për kujdes të shtuar, për bankomatët e dyshimtë, në rast se shohin lëvizje të tepërta duhet të raportojnë. Të gjitha duhet të vijnë në kuadër të edukimit. Unë kam vënë re vetë personalisht që kur moshat e treta shkojnë te bankomati, mundësisht i kërkojnë ndonjë çuni të ri ta ndihmojnë. Por ky i riu mund t'i bëjë një foto të thjeshtë kartës nga para e mbrapa, mund të shohë edhe PIN-in që përdor i moshuari, dhe në këtë rast mund ta përdorë për blerje online dhe qytetari nuk e di se çfarë po ndodh me kartën e tij," u shpreh z. Duleviç.

/rtsh.al/