RTSH 24 Live

Politikë

Ilir Meta me Monika Kryemadhin sot para gjykatës. Në GJKKO edhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku

3 orë para

Ilir Meta me Monika Kryemadhin sot para gjykatës. Në GJKKO edhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku

Ish-presidenti Ilir Meta del sot në orën 9:30 para Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.

Gjithashtu sot do të jepet masa e sigurisë dhe për Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.

Meta u arrestua mesditën e 21 tetorit, me urdhër të Prokurisë së Posaçme. Hetimi mbi të është bazuar në tri dyshime, të cilat i konfirmoi dhe avokati mbrojtës Genc Gjokutaj: korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale dhe mosdeklarim i pasurisë.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga SPAK, akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci.

Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho ndodhet në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa Ema Çoku- një financuese e LSI ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje para oficerëve të policisë gjyqësore për akuzën e pastrimit të parave.

/rtsh.al/