Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (10 nëntor) në një banesë në Shkodër. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e banesës së Ardian Fjerzat, ndërsa ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen "Tre Heronjtë".
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa efektivët kanë nisur hetimet për identifikimin e autorit.
Kjo është hera e dytë që Ardian Fjerzat i vendoset tritol. 3 muaj më parë atij iu vendos lëndë plasëse në biznesin e tij, një agjenci funerale. Shpërthimi ka ndodhur më 29 gusht 2024, ndërsa si autor i kësaj ngjarje u identifikua një 35-vjeçar, i cili rezultonte me precedentë të mëparshëm penal.
Sipas policisë në shpërthimin e 29 gushtit, shkak ishte bërë një borxh që pronarët e agjencisë funerale nuk i kishin shlyer autorit.
Aktualisht policia e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes dhe autorit të vendosjes së eksplozivit në banesën e Ardian Fjerzat.
/rtsh.al/