RTSH 24 Live

Aktualitet

I shpallur në kërkim nga Moska, Igor Kokunov ekstradohet drejt Rusisë

3 orë para

I shpallur në kërkim nga Moska, Igor Kokunov ekstradohet drejt Rusisë

Igor Kokunov i shpallur në kërkim nga Interpol Moska me akuzën ‘marrje e një pozicioni më të lartë në hierarkinë kriminale” është ekstraduar drejt Rusisë.

Ai u është dorëzuar autoriteteve ruse në Rinas ku është transferuar më pas drejt Rusisë. Vepra penale për të cilën akuzohet Kokunov parashikon maksimumin e dënimit të tij prej 15 vjet.

“Më datë 31 Tetor 2024, Ministria e Drejtësisë u njoh zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa  me email Gjykata njoftoi Ministrinë e Drejtësisë në orën 17:53 të datës 30 tetor, jashtë orarit zyrtar. Ky vendim, i marrë nga Gjykata Kushtetuese në datë 30.10.2024, ora 17:15, urdhëronte pezullimin e përkohshëm të procedurave të ekstradimit deri në një vendimmarrje të dytë nga kjo gjykatë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve.

Gjithashtu, Drejtoria e Burgjeve shpjegon se ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov nga Shqipëria në Rusi është realizuar sipas procedurave ligjore dhe vendimeve gjyqësore të miratuara nga autoritetet shqiptare.

Kokunov, lindur më 10.02.1964 në Rusi, u arrestua në Shqipëri më 26.08.2023 dhe fillimisht iu caktua masa e sigurimit "Arrest në burg" për 40 ditë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër më 29.08.2023. Me vendim të ri më 04.10.2023, kjo masë u shndërrua në "Arrest në burg" pa afat, për të mundësuar vazhdimin e procedurave të ekstradimit”, theksohet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Pas miratimit të ekstradimit nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe konfirmimit nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, Ministria e Drejtësisë miratoi ekstradimin më 14 tetor, ndërsa ekstradimi i tij është kryer ditën e djeshme ku ai u dorëzua autoriteteve ruse.

Kokunov i shpallur në kërkim nga Interpol Moska u arrestua në Muriqan më 26 gusht 2023, në kuadër të operacionit i koduar “Moscow”.

/rtsh.al/