Kancelari gjerman, Olaf Scholz pritet të kërkojë votëbesimin ndaj qeverisë së tij më 16 dhjetor, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të reja parlamentare në shkurt të 2025, njoftuan mediat gjermane të martën.
Votimi i pritshëm në Bundestag do të vinte shumë përpara planeve origjinale, duke shënuar një hap për të arritur kompromis midis partisë së Scholz-it, socialdemokratëve dhe partisë kryesore të opozitës në parlament, konservatorëve të krishterë të qendrës së djathtë.
Masa vjen pas rënies së koalicionit trepartiak të Scholz javën e kaluar, në një kohë kur udhëheqësit e ekonomisë më të madhe të Evropës janë përballur me mënyrat për të ringjallur rritjen anemike ekonomike të Gjermanisë.
Ekspertët parashikojnë se ekonomia do të tkurret ose në rastin më të mirë do të ngecë këtë vit, për shkak të goditjeve të jashtme dhe problemeve të brendshme, duke përfshirë burokracinë dhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Scholz kishte njoftuar më parë se ai do të kërkonte një votëbesim më 15 janar që mund të çonte në zgjedhje në muajin mars. Përndryshe, votimi duhej të ishte shtatorin e ardhshëm të 2025.
Të martën, Scholz i tha transmetuesit publik ARD se nuk ishte "problem" për të që të thërriste për votëbesimin përpara Krishtlindjeve dhe se ai do të respektonte çdo marrëveshje nga miqtë e tij socialdemokratë dhe kristian-demokratë.
Një vendim përfundimtar për datën e saktë të zgjedhjeve - ndoshta 16 shkurt ose 23 shkurt - do të vendoset nga presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. Scholz njoftoi se do të drejtonte Gjermaninë me një qeveri të pakicës pas lëvizjes së tij javën e kaluar për të shkarkuar Ministrin e Financave Christian Lindner të Demokratëve të Lirë pro-biznesit, duke i dhënë fund rolit të saj në koalicion.
I mbetur me ambientalistët e të Gjelbrit në koalicionin e tij, Scholz shprehu shpresën për të fituar mbështetjen e Kristian Demokratëve, të udhëhequr nga Friedrich Merz, për të miratuar legjislacion e rëndësishëm dhe për të mbyllur vrimën miliardë euro në buxhetin e 2025-ës.
Merz hodhi poshtë me forcë planin fillestar të Scholz për të pritur deri në janar për të mbajtur votën e besimit. Nëse qeveria nuk e fiton votën e besimit, gjë që dukej gjithnjë e më e mundshme, Steinmeier mund të shpërndajë Bundestagun brenda 21 ditëve dhe të thërrasë zgjedhje të reja. AP
/rtsh.al/