RTSH 24 Live

Politikë

Hyn në fuqi vendimi për ngritjen e Komisionit kundër dez-informimit, në fokus financimet e fushatës dhe të platformave online

17/04/2024

Hyn në fuqi vendimi për ngritjen e Komisionit kundër dez-informimit, në fokus financimet e fushatës dhe të platformave online

Hyri në fuqi të mërkurën vendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dez-informimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

Komisioni do të ketë si objekt të veprimtarisë së tij: - të nxitë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një sërë formash, duke përfshirë fushat e dez-informimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale për formësimin e opinionit publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publikë dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.

Komisioni do të kryejë një analizë të plotë të gjithë faktorëve dhe fenomeneve për të vlerësuar nëse janë respektuar detyrimet ligjore në fuqi në lidhje me transparencën në proceset demokratike, veçanërisht transparencën e financimeve në fushata zgjedhore, si dhe transparencën e financimit të gjithë aktorëve dhe platformave që ofrojnë shërbime në sektorin e informimit publik apo veprimtari të tjera të ngjashme me to.

Nga ana tjetër ai do të identifikojë masat administrative dhe ndërhyrjet e mundshme nëpërmjet ndryshimit apo plotësimit të legjislacionit në fuqi për të adresuar zgjidhjen e problematikave të identifikuara, veçanërisht në drejtim të rritjes së përgjegjshmërisë së platformave dhe mediave sociale për të klasifikuar përmbajtjen e lajmeve/informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet, me qëllim bërjen transparente të faktorëve ku bazohen për të shfaqur, për t’i dhënë përparësi, shpërndarë ose hequr përmbajtjen e lajmit/ informacionit, si dhe pa cenuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave/subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara jo autentike në internet ose aktivitete të paligjshme, që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes.

Komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë, që përfaqësojnë të gjitha grupet parlamentare, dhe drejtohet nga përfaqësuesi i shumicës parlamentare. Anëtarët e Komisionit caktohen me vendim Kuvendi.

Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 1-vjeçar nga data e miratimit të këtij vendimi. Kuvendi mund të vendosë të zgjatë afatin e ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm sipas përcaktimeve në rregulloren e Kuvendit.

Nisur nga natyra e veçantë e çështjeve që ka për objekt veprimtarie, pranë Komisionit të Posaçëm do të ketë një grup ekspertësh, si përfaqësues të institucionit të Presidentit të Republikës, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimit Informativ Kombëtar, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Autoritetit të Mediave Audiovizive, si dhe institucioneve të tjera që Komisioni do të vlerësojë se mund të kontribuojnë me ekspertizë në veprimtarinë e tij.

Komisioni mund të kërkojë edhe ekspertizë nga BE-ja, NATO-ja, SHBA-ja, si dhe të angazhojë ekspertë vendas dhe/ose të BE-së, NATO-s dhe ekspertë nga SHBA-ja, që të punojnë bashkë me grupin e ekspertëve vendas sipas kërkesave të Komisionit dhe caktimit të detyrave përkatëse.

/rtsh.al/