Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, kanë nisur prezantimin e 12 drejtorëve të rinj vendorë.
Në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë, ministri Hoxha theksoi se emërimi i Elton Alushit si drejtues i Policisë së Tiranës është një hap i rëndësishëm për konsolidimin e strukturave të sigurisë në kryeqytet.
Ai theksoi se Tirana, si zemra administrative dhe ekonomike e Shqipërisë, kërkon një polici që jo vetëm të jetë vigjilente në parandalimin e krimit, por edhe të ndërtojë ura besimi dhe bashkëpunimi me komunitetin.
Ministri Hoxha gjithashtu kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjeve kriminale dhe rihapjen e hetimeve për rastet e vjetra.
"Emërimi i Elton Alushit përfaqëson jo vetëm një hap përpara në konsolidimin e strukturave të sigurisë, por edhe një angazhim të ri për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të kryeqytetit, ku sfidat janë të shumta dhe dinamike, nën vizionin "Shqipëria 2030", tha Hoxha.
Edhe në Durrës, ku Vilson Bala u prezantua si Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë, ministri Hoxha theksoi se ky qytet ka një rëndësi strategjike për vendin, duke përfshirë rolin e tij si portë hyrëse dhe si një qytet me sfida të shumta në fushën e sigurisë.
Ai nënvizoi se për të garantuar sigurinë në këtë qytet të rëndësishëm ekonomik dhe turistik, është e nevojshme një qasje e mirëkoordinuar dhe angazhim maksimal për luftën kundër kriminalitetit.
"Struktura e re drejtuese do të punojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për të luftuar çdo formë të krimit të organizuar, trafiqeve dhe evazionit. Siguria nuk është vetëm një përgjegjësi e policisë, por një detyrë e përbashkët e gjithë shoqërisë", tha ministri i Brendshëm.
/rtsh.al/