Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar punimet në kantierin e hekurudhës Tiranë-Durrës. 35 % e punimeve në këtë kantier kanë përfunduar, dhe në pranverën e 2023 do të vijohet me shtrimin e shinave. Ministrja Balluku, e konsideron këtë investim si dallëndyshen e parë në industrinë e hekurudhës, që sipas saj, do të sjellë një mentalitet të ri të udhëtimit.
Hekurudha 39 km e gjatë, do të lidh Tiranën me Aeroportin e Rinasit në vetëm 12 minuta, ndërkohë që Tirana me Durrësin do të përshkohet për vetëm 22 minuta distancë kohore.
“Ky është një projekt që mbështetet me fondet e Bashkimit Evropian. Në këtë rast kemi BERZH i cili ka dhënë një kredi dhe 50 % e të cilit është grant, flasim për rreth 70 milionë euro.
Ky është një projekt që ka nisur prej kohësh. Procedurat janë ato që duhen respektuar dhe ne këtë e kemi bërë me përpikmëri. Kjo hekurudhë nuk është thjesht mjet transporti, por një mentalitet i ri i të udhëtuarit që ka të bëjë me sjelljen miqësisht ndaj ambientit, duke ulur konsumin e automjeteve.
Kjo është dallëndyshja e parë në industrinë e hekurudhës. Ky është një projekt i gjatë 39 km, 34 prej të cilëve i përkasin Tiranë-Durrës, dhe 5 km që janë gjurmë e re që nis diku te Megatek deri te Aeroporti i Rinasit”, tha Balluku.
/rtsh.al/