RTSH 24 Live

Greqi

Greqi/ Ministri i Marinës dorëhiqet pas vdekjes së pasagjerit në tragetin "Blue Horizon"

11/09/2023

Greqi/ Ministri i Marinës dorëhiqet pas vdekjes së pasagjerit në tragetin "Blue Horizon"

Ministri grek i Politikave Detare, Miltiadis Varviciotis (o. Varvitsiotis), njoftoi të hënën dorëheqjen e tij, pak ditë pasi u kritikua për reagimin ndaj lajmit mbi vdekjen e një pasagjeri të shtyrë me forcë nga një traget në Pireus.

Zëdhënësi i qeverisë greke tha se Varviciotisi do të zëvendësohet nga Kristos Stilianidis (o. Christos Stylianidis), i cili ka shërbyer si ministër për Krizat Klimatike dhe Mbrojtjen Civile në qeverinë e mëparshme.

Incidenti u regjistrua në video dhe u nda në mediet sociale, duke ngjallur zemërim në të gjithë vendin. Pamjet tregonin një 36-vjeçar duke provuar të hipte në tragetin "Blue Horizon" teksa anija po bëhej gati të nisej, ndërkohë që një pjesëtar i ekuipazhit e shtyu me forcë nga rampa e ngarkimit në ujë, duke e përplasur me helikat e anijes në lëvizje. Për shpëtimin e personit nuk u bë asnjë përpjekje dhe trageti vazhdoi largimin nga porti, derisa iu dha urdhër të kthehej.

Varviciotis u shpreh fillimisht "i tronditur, i tmerruar dhe i pikëlluar" për incidentin, por reagimi i tij u prit me zemërim nga qytetarët, pasi deklarata duket se nuk ndanin qartë pasojat për viktimën dhe për ekuipazhin. Edhe pse ai kërkoi falje, kritikat nuk reshtën.

Ka nga ana që qajnë viktimën dhe ata që qajnë për njerëzit të cilët punojnë për një rrogë... të cilët tani akuzohen për vrasje,” tha Vicotaqis të mërkurën e kaluar.

"Ditët e fundit jam bërë shënjestra e një sulmi që po merr gjithnjë e më shumë karakteristika toksike. Një deklaratë e imja që u keqinterpretua lehtë shkaktoi zemërim. Unë menjëherë kërkova falje sinqerisht. Në asnjë mënyrë nuk e barazova viktimën me autorët. Në asnjë mënyrë nuk i largova përgjegjësitë kompanisë që zotëron anijen, e cila ende nuk pranon të marrë përgjegjësi," deklaroi ai me njoftimin e dorëheqjes.

"Karriera ime politike dhe dinjiteti im personal më diktojnë që të mos jem më në pozicionin e ministrit të Politikave Detare dhe Ishullore. Kjo është arsyeja pse unë ia paraqita dorëheqjen time Kryeministrit," shtoi ai.

Dy nga katër pjesëtarët e ekuipazhit të tragetit "Blue Horizon" janë arrestuar si të përfshirë në vdekjen e 36-vjeçarit dhe do të qëndrojnë në burgim deri në zhvillimin e procesit gjyqësor. /Kathimerini

/rtsh.al/