RTSH 24 Live

Greqi

Greqi – “Medea” ndalon qarkullimin në autostradën Larisa-Athinë

15/02/2021

Greqi – “Medea” ndalon qarkullimin në autostradën Larisa-Athinë

Pas një takimi shtetëror për të koordinuar përgjigjen ndaj stuhisë “Medea”, e shoqëruar me dëborë dhe ngrica, u vendos ndalimi i qarkullimit të mjeteve të rënda në autostradën që lidh Larisan me Athinën.

Ndërsa moti i keq mbërriti në Atikë, autoritetet thanë se vala e parë e motit të keq ka kaluar mbi Greqinë Veriore dhe po drejtohet në pjesët jugore të vendit.

Ato lanë të hapur mundësinë e zgjatjes së ndalimit të automjeteve të rënda në Peloponez nëse kushtet e kërkojnë këtë, duke thënë se kjo do të rishikohet gjatë një takimi që do të mbahet sot.

“Qëllimi ynë është që rrugët të qëndrojnë të hapura”, tha ministri për Mbrojtjen Civile, Michalis Chrisochoidis.

“Unë dua të dërgoj një mesazh për të gjithë banorët e Atikës, Evisë dhe rajonit përreth. Ne do të testohemi në orët e ardhshme, por mekanizmi është jashtëzakonisht i efektshëm”, shtoi ai.

“Unë jam i sigurt që, me bashkëpunimin e qytetarëve, gjithçka do të shkojë mirë. Ne kërkojmë nga njerëzit që të mos udhëtojnë pa ndonjë arsye të fortë. Ata që dalin jashtë duhet të kenë zinxhirë për makinat e tyre dhe të jenë të kujdesshëm, pasi do të ketë shumë akull dhe një rrezik potencial për aksidente”, theksoi Michalis Chrisochoidis./ATSH