RTSH 24 Live

Greqi

Greqi/ 6 të ekzekutuarit si pjesëtarë bande nuk janë shqiptarë, por turq

12/09/2023

Greqi/ 6 të ekzekutuarit si pjesëtarë bande nuk janë shqiptarë, por turq

Policia greke ka rishikuar deklaratën fillestare për vrasjet e rënda të së hënës pasdite, duke raportuar se viktimat mund të jenë shtetas turq dhe jo shqiptarë, siç dyshohej.

Lajmi u konfirmua edhe nga Ministria e Brendshme ku thekson se viktimat kane shtetësi turke me karta identiteti te një vendi te BE.

"Zyra e Ministrit te Brendshëm ka ndjekur prej momentit te pare ngjarjen ne Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kane shtetësi turke me karta identiteti te një vendi te BE".

Viktimat u gjetën të vrarë brenda një makine në qytetin bregdetar të Artemidës, rreth 20 kilometra nga kryeqyteti grek.

Gjashtë personat besohet se janë shtetas turq, raportoi Kathimerini, dhe ranë pre e një breshërie plumbash që dyshohet se lidhet me aktivitetet e tyre kriminale.

Pesë nga viktimat u gjetën të pajetë në brendësi të automjetit me targa gjermane, dhe i gjashti, që besohet se është drejtuesi i mjetit, u gjet jashtë duke tentuar t'i shpëtojë sulmit me armë automatike, siç pretendohet.

Asnjëri prej viktimave nuk është identifikuar formalisht dhe askush prej tyre nuk rezulton të ketë të shkuar kriminale në Greqi, ndërsa në pronësinë e tyre nuk u gjetën as armë.

Kriminalistët grekë vazhdojnë të hetojnë skenën e krimit që nga ora 18:30 e së hënës kur ajo ndodhi. Në vendngjarje janë mbledhur më shumë se 20 gëzhoja fisheku nga një armë e llojit pistoletë.

Autoritetet greke po punojnë edhe me Interpolin dhe kolegët gjermanë për të identifikuar pronarin e targave.

Skena e krimit dyshohet se është filmuar nga kamerat e sigurisë afër vendngjarjes, të cilat janë konfiskuar.

Dëshmitarët okularë raportohet se kanë parë një makinë me ngjyrë të errët dhe një motoçikletë para ngjarjes.

Policia po e trajton ngjarjen kriminale si një përplasje mes bandash rivale për shkak të drogës.

/rtsh.al/