RTSH 24 Live

Aktualitet

Grabitja në Rinas, SPAK kërkon 19 vite burg për Talo Çelën

19 orë para

Grabitja në Rinas, SPAK kërkon 19 vite burg për Talo Çelën
Talo Çela

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 19 vite burg për Talo Çelën, I cili akuzohet si pjesëmarrës në grabitjen e 4.6 milionë eurove në aeroportin Nënë Tereza në Rinas. Ngjarja ka ndodhur 5 vite më parë, në prill të 2019-ës.

Çela është ende në arrati, duke iu fshehur policisë. Pas pretencës së prokurorisë avokati i Talon Çelës ka kërkuar kohë që të njihet me materialin, mbi të cilin SPAK kërkoi 19 vite burg.

SPAK ka bërë pjesë të dosjes në hetim edhe bisedat e Talo Çelës në SKY ECC, me anëtarët e tjerë të grupit, ku shprehte shqetësim se mund të gjendeshin prova për përfshirjen e tij në grabitjen në Rinas.

Gjykata e Posaçme, e përbërë nga Erjon Bani, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, kanë caktuar më pas edhe seancën gjyqësore, e cila do të zhvillohet më datë 21 nëntor ora 10.00, seancë në të cilën pritet të shpallet vendimi për Çelën.

Çela u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt, si dhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit.

Lidhur me grabitjen në Rinas GJKKO ka dënuar 2 vite më parë me 122 vite burg, 7 të pandehurit pjesë e grupit criminal: Klement Çala me 20 vite burg, ndërsa Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me  17 vite burg. Ata po e vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

/rtsh.al/