RTSH 24 Live

Kosova

Goditja nga tërmeti/ Kosova i vjen në ndihmë Turqisë, presidentja Osmani autorizon dërgimin e FSK-së

06/02/2023

Goditja nga tërmeti/ Kosova i vjen në ndihmë Turqisë, presidentja Osmani autorizon dërgimin e FSK-së

Turqia dhe Siria janë goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 të Rihterit, ku për pasojë deri më tani kanë humbur jetën 2,500 persona dhe mijëra të tjerë janë lënduar.

Shumë vende i kanë ardhur në ndihmë Turqisë, midis tyre edhe Kosova.

Presidentja Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme.

“Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet. Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.  Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.

/rtsh.al/