RTSH 24 Live

Aktualitet

Goditën për shkak të detyrës mjeken, si dhe dëmtuan ambjente të spitalit, 2 në pranga, në hetim 3 të tjerë

08/02/2023

Goditën për shkak të detyrës mjeken, si dhe dëmtuan ambjente të spitalit, 2 në pranga, në hetim 3 të tjerë

Policia e Tiranës ka arrestuar 2 persona këtë të mërkurë pasi goditën për shkak të detyrës një mjeke si edhe dëmtuan dyert dhe dritaret e Spitalit Infektiv me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre, që mjekohej në këtë spital. Sipas njoftimit të policisë, autorët I. S., 41 vjeç dhe B. B., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë nuk iu binden urdhrave të policisë, ndërsa janë vënë në pranga. Ndërkohë, K. S., 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç po hetohen në gjendje të lirë nga Policia.

Të arrestuarit nuk iu bindën urdhrave të punonjësve të Policisë, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes, për të kryer veprimet procedurale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se disa shtetas kishin goditur për shkak të detyrës një mjeke dhe kishin dëmtuar ambientet e spitalit ku ajo punonte, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. 

Si rezultat i veprimeve të shpejta nga shërbimet e Policisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit I. S., 41 vjeç dhe B. B., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: K. S., 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç.

Këta shtetas, rreth orës 02:00 të ditës së sotme, në ambientet e një spitali shtetëror, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, një mjeke të këtij spitali, me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre, që mjekohej në këtë spital, si dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij institucioni.   Gjithashtu, këta shtetas nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë që shkuan në vendin e ngjarjes, menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë rast.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Goditje për shkak detyrës", “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

/rtsh.al/