RTSH 24 Live

Aktualitet

Gledis Nano takim me homologun izraelit Yaakov Shabtai: Garantojmë siguri për qyetetarët

29/06/2022

Gledis Nano takim me homologun izraelit Yaakov Shabtai: Garantojmë siguri për qyetetarët

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, zhvilloi një takim me homologun e tij, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Izraelit, z. Yaakov Shabtai ndërsa ndodhet për një vizitë pune në Izrael. 

Nano dhe Shabtai, gjatë këtij takimi, vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Policisë shqiptare dhe asaj izraelite, si dhe me agjencitë e sigurisë në Izrael.

Në fokus të takimit ishin shkëmbimi i përvojave më të mira në punës në krye të institucioneve përkatëse, ndikimi i përdorimit të teknologjisë bashkëkohore në detyrat funksionale të punonjësve të Policisë, si dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet dy policive, për shkëmbim informacioni, hetime dhe operacione të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimit kibernetik dhe pastrimit të parave.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka falënderuar homologun e tij, për të gjithë vlerësimin dhe mbështetjen e dhënë nga Policia e Izraelit.

Dua t’ju siguroj se Policia e Shtetit shqiptar është e aftë profesionalisht dhe ka të gjitha kapacitetet, për të luftuar përkrah policive homologe, krimin e organizuar, krimin kibernetik, pastrimin e parave, korrupsionin dhe terrorizmin. Sfidat që kam marrë përsipër janë pikërisht këto prioritete të përbashkëta që nuk njohin kufij dhe që kanë në themel garantimin e rendit e sigurisë dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurtë për qytetarët tanë”, tha Nano.

Vizitat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të zhvilluara së fundmi në SHBA, Gjermani, Greqi dhe Izrael, tregojnë rëndësinë që Policia e Shtetit i kushton luftës kundër fenomeneve kriminale, të cilat kanë shtrirje globale, si dhe angazhimin për të forcuar bashkëpunimin me partnerët, në realizimin e prioritetit të përbashkët, për goditjen me zero tolerancë, të krimit të organizuar.

/rtsh.al/