RTSH 24 Live

Botë

Gjykata suedeze lejon djegien e Kuranit gjatë Kurban Bajramit, rrezikon NATO-n

28/06/2023

Gjykata suedeze lejon djegien e Kuranit gjatë Kurban Bajramit, rrezikon NATO-n

Një gjykatë suedeze ka dhënë leje që Kurani të digjet jashtë xhamisë kryesore në Stokholm.

Djegia e librit fetar është caktuar të bëhet gjatë Kurban Bajramit, njëra nga ditët më të shenjta të vitit për myslimanët.

Djegia e librit vjen në një kohë kur Suedia po përpiqet të kapërcejë kundërshtimet e Turqisë ndaj anëtarësimit të saj në NATO.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, iu përgjigj djegies së mëparshme të Kuranit duke thënë se Suedia nuk duhet të ndjekë një rrugë të tillë.

Djegia e Kuranit është bërë shtylla kryesore e ekstremistëve të djathtë në Suedi, me politikanin danezo-suedez të ekstremit të djathtë, Rasmus Paludan, që ka bërë emër me akte të tilla. 

Por, Paludan thuhet se nuk qëndron pas veprimit të ditës së sotme.

Megjithëse Suedia rrallë ndalon protestat ose djegien e librave, një demonstratë e planifikuar kundër NATO-s që do të përfshinte gjithashtu djegien e Kuranit, u bllokua nga policia suedeze në muajin shkurt.

Para kësaj, ekstremistët e ekstremit të djathtë dogjën një Kuran jashtë ambasadës turke. Kjo bëri që Turqia të refuzonte vizitën e ministrit suedez të Mbrojtjes në Ankara, ndërsa presidenti Erdogan tha se Suedia as të mos e llogarisë mbështetjen e Turqisë, transmeton Deutsche Welle. 

Pavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm nga Turqia dhe djegies së përsëritur të Kuranit, kryeministri suedez Ulf Kristersson shprehet i bindur se Suedia do të jetë në gjendje të anëtarësohet në NATO.

/rtsh/