Si një nga zonat me ritmin më të mirë të vaksinimit sot Gjirokastra numëron mbi 17 mijë e 200 banorë të vaksinuar, ku 12 mijë prej tyre tashmë janë pajisur me pasaportën e vaksinimit. Fatmirësisht ky proces ka përfunduar edhe tek të gjithë personat që hyjnë në kategori të veçanta si të sëmurët kronikë, ata që marrin dializë dhe ata që kanë kryer transplante apo operacione të vështirë. Specialistë të Shërbimit Epidemiologjik bëjnë të ditur se Gjirokastra e ka fituar imunizimin e tufës.
“Kemi pasur një moment të ndërprerjes së procesit në lidhje me dozat e dyta por u zgjidh. Sot mbërriti kontigjenti i vaksinave kineze dhe nga nesër nis vaksinimi i 400 personave në pritje të dozës së dytë. Pothuajse kemi mbaruar me të gjithë të sëmurët kronikë, me të gjithë ata persona që kanë kryer transplante, ata që kryejnë dializën, dhe ata që kanë bërë ndërhyrje në zemër apo organe të tjera. Të gjitha qendrat janë të hapura. Për invalidët vaksinimi është kryer pranë banesave të tyre. Nga të gjitha të dhënat që kemi mbledhur nuk kemi pasur asnjë komplikacion postvaksinal dhe kjo është pozitive për të gjithë ata që hezitojnë të vaksinohen, pasi dhe në disa zona vaksina është refuzuar për shkak të bindjeve të tyre fetare. Ne i këshillojmë të paraqiten pranë shërbimit tonë ta marrin vaksinës. Momentalisht jemi duke punuar me moshat 35-40 vjeç. Me bindje të plotë mund të themi se kemi arritur atë çka i mëshon më shumë OBSH, imunizimin e tufës.”- thotë Arenc Brahimi, shef i Shërbimit Epidemiologjik.
Që prej fillimit të majit rastet pozitivë në Gjirokastër kanë qenë sporadikë, madje ditët e fundit flitet vetëm për 0 të tillë.