RTSH 24 Live

Teknologji

Gjermania vendos kufizime për komponentët kinezë në rrjetin 5G

20/09/2023

Gjermania vendos kufizime për komponentët kinezë në rrjetin 5G

Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka planifikuar të ndalojë përdorimin e komponentëve të prodhuar nga Kina në disa zona kritike të rrjeteve publike të telekomunikacionit celular 5G të vendit duke filluar nga viti 2026, kanë thënë burime qeveritare për DPA.

Megjithatë, brenda qeverisë së koalicionit gjerman ka mosmarrëveshje për ndalimin e propozuar.

Ndalimi i propozuar do të ndikojë në planet e diskutueshme për t’u mbështetur pjesërisht në komponentët nga prodhuesit kinezë Huawei dhe ZTE në ndërtimin e rrjetit.

Kritikët e shohin përfshirjen e kompanive kineze si një rrezik potencial sigurie.

Propozimi ndalon përdorimin e pjesëve kineze në rrjetet kryesore celulare 5G, në Gjermani të drejtuar nga Deutsche Telekom, Vodafone dhe Telefónica duke filluar nga 1 janari 2026.

Sipas propozimit të Ministrisë së Brendshme “Në rrjetin e aksesit dhe transportit, varësia strukturore nga komponentët e prodhuesit Huawei dhe ZTE” do të duhet të reduktohet deri më 1 tetor 2026”. 

Rregulla më të rrepta që ndalojnë edhe komponentët jo-kritikë nga Huawei dhe ZTE do të zbatohen në zona veçanërisht të ndjeshme të Gjermanisë, si Berlini dhe ish-kryeqyteti i Gjermanisë Perëndimore të Bonit, i cili mbetet shtëpia e shumë agjencive qeveritare.

Në rajonet rurale, ku përdoruesit shpesh ankohen për një rrjet të dobët celular, kufizime të tilla nuk do të zbatohen.

/ rtsh.al /