Të martën (30 korrik) u hap gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri të Porto Romanos, një nismë që drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, e quajti "një maratonë".
Z. Vengu, i cili është propozuar edhe si ministër i Brendshëm i ardhshëm, deklaroi se autoritetet shqiptare janë përballur me disa sfida teknike e juridike për konceptimin e portit të ri.
"Sfidat prej përmasave të projektit dhe dilemat e demotivonin edhe inxhinierin më të sprovuar. Ndërtimi i një porti nuk është çështje thjesht teknike, ekonomike, por për mendimin tim një vendimmarrje shtetndërtuese. Është një hov i ri i nevojshëm për industrinë detare, që këto pesë vite ka njohur një rritje më të lartë se prodhimi i brendshëm bruto. Ndryshe nga vitet '20, kur ndërtimi i porteve ishte një kompromis, kjo garë vjen si produkt i një vendimmarrjeje të lirë e inxhinierëve të huaj e vendës," tha z. Vengu.
Faza e parë e kualifikimit të ofertuesve do të zgjasë 45 ditë dhe qeveria shqiptare ka përcaktuar një investim limit prej 390 milionë euro për ndërtimin e portit të ri.
/rtsh.al/