Udhëheqësit e G7-s kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të mbështesin një proces tranzicioni që çon në qeverisje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe josektare në Siri.
G7 shpjegon se një tranzicion politik pas përfundimit të sundimit autoritar 24-vjeçar të Bashar al-Assad duhet të sigurojë “respektimin e shtetit të së drejtës, të drejtat universale të njeriut, duke përfshirë të drejtat e grave, mbrojtjen e të gjithë sirianëve, përfshirë pakicat fetare dhe etnike, transparencë dhe llogaridhënie.”
“G7 do të punojë dhe do të mbështesë plotësisht një qeveri të ardhshme siriane që u përmbahet atyre standardeve dhe rezultateve nga ai proces”, shton deklarata.
Gjithashtu, grupi i G7-s u bëjnë thirrje “të gjitha palëve” që të “ruajnë integritetin territorial dhe unitetin kombëtar të Sirisë dhe të respektojnë pavarësinë dhe sovranitetin e saj”.
Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është takuar me Mbretin e Jordanisë Abdullah në qytetin Akaba të Detit të Kuq ndërsa ai mbërrin në rajon për bisedime mbi Sirinë pas përmbysjes së Bashar al-Asad.
Blinken, i cili do të shkojë në Turqi parashtroi shpresat e Uashingtonit për tranzicionin politik të Sirisë, duke thënë se do të njihte një qeveri të ardhshme siriane që përbën një organ qeverisës të besueshëm, gjithëpërfshirës dhe jo-sektar.
Blinken do të diskutojë prioritetet e SHBA-së për të siguruar që rezervat e armëve kimike të Sirisë të sigurohen dhe të shkatërrohen, të lehtësojë rrjedhën e ndihmave humanitare dhe që vendi të mos përdoret si "bazë e terrorizmit”.
Grupi rebel Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të cilin Shtetet e Bashkuara e quajnë një organizatë terroriste, po luan një rol kyç në Damask pasi udhëhoqi rrëzimin e Asadit, duke i dhënë fund një dinastie familjare 50-vjeçare në një pushtim të shpejtë pas 13 vjetësh lufte civile.
Blinken, kryediplomati në administratën në largim të presidentit amerikan Joe Biden, do të takohet gjithashtu me ministrin e Jashtëm jordanez Ayman Safadi dhe do të diskutojë konfliktet në Gaza dhe Liban gjatë udhëtimit të tij, thotë Departamenti i Shtetit.
/rtsh.al/