RTSH 24 Live

Aktualitet

Futi drogë në qeli dhe organizoi lojëra fati, Aleksandër Llanaj vendoset sërish në regjimin “41-bis”

06/01/2025

Futi drogë në qeli dhe organizoi lojëra fati, Aleksandër Llanaj vendoset sërish në regjimin “41-bis”
I dënuari Aleksandër Llanaj

Aleksandër Llanaj, i dënuar për vrasje dhe disa vepra të tjera penale, është vendosur sërish në Regjim të Posaçëm “41-bis” në Peqin, për një periudhë 1-vjeçare. Ky vendim u mor më 26 dhjetor 2024, pas urdhrit të Ministrisë së Drejtësisë, pasi i dënuari paraqet rrezikshmëri të lartë.

Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, Llanaj ka vazhduar të kryejë veprime të kundërligjshme, duke përfshirë futjen dhe mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucione penale, rebelim dhe organizim llotarish të palejuara, për të cilat është dënuar më tej.

33-vjeçari Aleksandër Llanaj, është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e 3 të rinjve në Vlorë në 2015 në atë që njihet si “Masakra e Çoles”, ndërsa emri i tij është i lidhur edhe me disa tentativa rebelimi në burg. Gjithashtu gjatë megaoperacioni “Trinom” u zbulua se Llanaj theu regjimin “41-bis” që ishte duke mundësuar futjen e drogës në qeli.

Gjatë vuajtjes së këtij dënimi, Aleksandër Llanaj është dënuar edhe për: 

- Më datë 09.02.2017, me vendimin Nr. 79 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është dënuar me 8 muaj burgim për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”, parashikuar nga neni 324/a/1 i Kodit Penal. 

- Më datë 06.12.2019, me vendimin Nr. 620 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Rebelimi i të burgosurve”, parashikuar nga neni 270/2 i Kodit Penal. 

- Më datë 20.01.2021, me vendimin Nr. 27 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Rebelimi i të burgosurve”, parashikuar nga neni 270/1 i Kodit Penal. 

- Më datë 10.02.2023, me vendimin Nr. 79 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Organizimi i llotarive të palejuara”, parashikuar nga nenet 324/a/2 dhe 197/1 të Kodit Penal. 

Regjimi i posaçëm “41-bis” zbatohet në sistemin penitenciar për shtetas që përbëjnë rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe kanë lidhje me organizata kriminale, banda të armatosura ose grupe të strukturuara kriminale. Ky regjim mund të vendoset ndaj personave me status të paraburgosuri ose të dënuar që kryejnë vepra të rënda penale, të cilat cenojnë sigurinë publike dhe rendin kushtetues.

/rtsh.al/