RTSH 24 Live

Botë

Fushata në SHBA bashkon tre president - Disa protestues ndërprenë aktivitetin për mbledhjen e fondeve në Nju Jork

29/03/2024

Fushata në SHBA bashkon tre president - Disa protestues ndërprenë aktivitetin për mbledhjen e fondeve në Nju Jork

Barak Obama, Bill Klinton dhe disa emra të njohur nga bota e spektaklit u bashkuan mbrëmjen e së enjtes në Nju Jork për të mbështetur fushatën e  Presidentit Xho Bajden. Aktiviteti mblodhi mbi 25 milionë dollarë fonde, duke arritur kështu një rekord të ri në historikun e aktiviteteve politike, njoftoi ekipi i fushatës së Bajden.

Fondet janë një tregues i mbështetjes së demokratëve për presidentin në një periudhë kur sondazhet tregojnë nivele të ulëta mbështetjeje nga opinioni publik. Fondet për Presidentin do të vërë në provë efektivitetin e tyre ndërsa përballet me kandidatin e pritshëm të Partisë Republikane Donald Trump. Ish-presidenti Barak Obama vlerësoi punën e Xho Bajdenit, ndërsa mesazhi i ish-presidentit Bill Klinton ishte për votuesit, ku iu kërkoi të mbështesin Bajdenin.

Vetë Presidenti iu drejtua direkt Donald Trumpit, duke thënë se idetë e rivalit të tij republikan  ishin “pak të vjetra”.  Ndërkohë moderatori Stephen Colbert, gjatë bisedës me tre presidentët i quajti ata " kampionë" dhe duke thumbuar zotin Trump ai u shpreh se asnjëri prej tyre nuk ndodhej në Nju Jork për t'u paraqitur në gjykatë. Një grup protestuesish të zemëruar nga mënyra se si Bajden po e trajton luftën në Gaza ndërprenë aktivitetin.

Por ata morën një premtim nga presidenti se do të vazhdonte përpjekjet për të parandaluar vdekjet e civilëve, veçanërisht të fëmijëve. Qindra të tjerë protestuan jashtë sallës ku u zhvillua aktiviteti. Shfaqja e mbështetjes nga paraardhësit e Bajdenit kishte qëllim të tregonte unitetin e Partisë Demokrate, por edhe rëndësinë e projektit për mbledhjen e fondeve. Biletat për aktivitetin e së enjtes kushtonin nga 250 deri në 500 mijë dollarë.

Gazetare: V. Zharri

/RTSH/