RTSH 24 Live

Teknologji

Franca kërcënon të ndalojë shitjen e iPhone 12 për shkak të frikës së rrezatimit të tepërt

13/09/2023

Franca kërcënon të ndalojë shitjen e iPhone 12 për shkak të frikës së rrezatimit të  tepërt

Franca po kërcënon të ndalojë shitjen e iPhone 12s për shkak të frikës nga nivelet e tepërta të rrezatimit. Ministri francez Zhan Noel Barro (Jean-Noel Barrot) tha se celularët, të lëshuar në vitin 2020, duhet të tërhiqen nëse gjigandi i teknologjisë nuk e trajton këtë çështje. Sipas tij, testet e kryera nga mbikëqyrësi i rrezatimit të Francës zbuluan se "shkalla specifike e përthithjes" e pajisjes ishte pak më e lartë se sa lejohej me ligj.

Kjo i referohet shkallës me të cilën trupi i njeriut thith energji kur ekspozohet ndaj frekuencës radio. Apple i kundërshtoi gjetjet, duke thënë se iPhone 12 i saj ishte i certifikuar nga shumë organe ndërkombëtare dhe i njohur si në përputhje me të gjitha rregulloret dhe standardet e zbatueshme të rrezatimit.

Kompania tha se i kishte ofruar mbikëqyrësit francez rezultate të pavarura laboratorike të palëve të treta për të provuar këtë.

Sipas gjetjeve, celulari lëshon 5.74 vat energji për kilogram kur është brenda xhepit të dikujt, mbi standardin e BE-së prej katër vat. Rregullat bazohen në studime shkencore që sugjerojnë se normat më të larta mund të rrisin rrezikun e disa llojeve të kancerit.

Barro tha se një përditësim i softuerit duhet të jetë i mjaftueshëm për ta sjellë iPhone 12 në linjë me standardet, por paralajmëroi kompaninë amerikane se duhet të lëvizë shpejt.

 “Nëse ata dështojnë ta bëjnë këtë, unë jam i përgatitur të urdhëroj një tërheqje të të gjithë iPhone 12 në qarkullim. Rregulli është i njëjtë për të gjithë, përfshirë gjigantët dixhitalë", u shpreh ai.

Gjetjet e Francës do të ndahen me anëtarët e tjerë të BE-së, të cilat Barro tha se mund të çojnë në ndërmarrjen e veprimeve të ngjashme./ Sky News

/rtsh.al/