RTSH 24 Live

Teknologji

FMN: Inteligjenca artificiale do të godasë 40% të vendeve të punës dhe do të përkeqësojë pabarazinë

15/01/2024

FMN: Inteligjenca artificiale do të godasë 40% të vendeve të punës dhe do të përkeqësojë pabarazinë

Inteligjenca artificiale do të prekë gati 40% të të gjitha vendeve të punës, sipas një analize të re nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva tha se në shumicën e skenarëve, Inteligjenca Artificiale ka të ngjarë të përkeqësojë pabarazinë e përgjithshme.

Sipas Georgieva, politikëbërësit duhet të adresojnë "prirjen shqetësuese për të "parandaluar teknologjinë në nxitjen e mëtejshme të tensioneve sociale".

FMN tha se AI ka të ngjarë të ndikojë në një përqindje më të madhe të vendeve të punës, në rreth 60%, në ekonomitë e përparuara, ndwrsa do të prekë vetëm 26% të vendeve të punës në vendet me të ardhura të ulëta.

"Shumë nga këto vende nuk kanë infrastrukturë ose fuqi punëtore të aftë për të shfrytëzuar përfitimet e AI, duke rritur rrezikun që me kalimin e kohës teknologjia mund të përkeqësojë pabarazinë midis kombeve", tha Georgieva.

Punëtorët me të ardhura më të ulëta dhe ata më të vjetër në moshë mund të mbeten prapa, thekson FMN.

"Është thelbësore që vendet të krijojnë rrjete gjithëpërfshirëse të sigurisë sociale dhe të ofrojnë programe rikualifikimi për punëtorët e cenueshëm. Duke bërë këtë, ne mund ta bëjmë tranzicionin e AI më gjithëpërfshirës, ​​duke mbrojtur mjetet e jetesës dhe duke frenuar pabarazinë", tha Georgieva.

Analiza e FMN-së vjen ndërsa liderët globalë të biznesit dhe politikës mblidhen në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër. AI është një temë diskutimi, pas rritjes së popullaritetit të aplikacioneve si ChatGPT.

Teknologjia po përballet me rregullim të shtuar në mbarë botën. Muajin e kaluar, zyrtarët e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje të përkohshme mbi ligjet e para gjithëpërfshirëse në botë për të rregulluar përdorimin e AI .

Parlamenti Evropian do të votojë mbi propozimet e Aktit të AI në fillim të këtij viti, por çdo legjislacion nuk do të hyjë në fuqi të paktën deri në vitin 2025./ BBC

/rtsh.al/