28 Nëntori është një datë e shënuar për gjithë shqiptarët ku ata jetojnë, sidomos për ata që e mbrojnë me zell identitetin kombëtar, siç është "Vatra" në SHBA.
Gjatë një interviste në "Mirëmëngjesi Shqipëri", një grup shqiptarësh nga të gjitha trojet treguan se Dita e Pavarësisë i gjeti në një atmosferë patriotike.
Iris Halili, studiuese dhe kryetare e "Vatrës" për zonën e Majamit tregoi detaje nga festa e tyre.
"Sapo mbaruam festën madhështore me rastin e përvjetorit të Pavarësisë. Jemi këtu gegë e toskë, nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria. Patëm një mbrëmje të jashtëzakonshme me atmosferë vërtet atdhetare e patriotike. Kishim të ftuar këngëtaren Merita Halili dhe grupin e saj," tha znj. Halili.
Ky vit ishte i veçantë për shqiptarët e Amerikës, pasi nuk mungoi përkrahja për Shqipërinë as nga institucionet e vendit.
Kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Erik Adams, mbajti një fjalim me rastin e festave të 28–29 Nëntorit dhe e mbylli fjalën e tij duke bërë simbolin e shqiponjës dykrerëshe me duar.
Për herë të parë flamuri shqiptar u ngrit edhe në qytetin e njohur të Hollivudit.
"Ju flasim nga Hollivudi, ku për herë të parë është ngritur flamuri shqiptar në bashkinë e Hollivudit, në gjithë Floridën e jugut që ka 7 milionë banorë. 'Vatra' Majami arriti të ngrejë flamurin dhe u mbajt i valëvitur për tre ditë me radhë. Është krenari e madhe për ne të gjithë," u shpreh znj. Halili.
/rtsh.al/